Lanre Kehinde, është përforcimi më i ri i skuadrës tonë gjatë kësaj merkatoje të bujshme, ku kemi arritur të nënshkruajmë me gjithsej 9 futbollistë të rinj që kanë peshë në futbollin tonë vendor. Shpresojmë që së bashku të kemi një sezon shumë të suksesshëm si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në kampionatin vendor….
Struga Trim Lum ka nënshkruar me sulmuesin Lanre Kehinde, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e KF Gostivarit. Me nigerianin kemi firmosur kontratë një vjeçare.
Mësoni më shumë për 30-vjeçarin nigerian, të lindur na qytetin e Lagos, qytetin më të populluar në Nigeri...
Kehinde luan kryesisht si qendër sulmues, mirëpo gjithashtu mund të luaj edhe në krahun e djathtë të sulmit. Ai edicionin e kaluar në Ligën e Parë regjistroi 12 gola dhe 5 asistime në 23 ndeshje, duke ndihmuar Gostivarin që në fund të renditet në pozitën e 6-të.
KARRIERA E KEHINDE
Sulmuesi i gjatë 1.94 metra, karrierën profesioniste e nisi në vendlindjen e tij te skuadra e Kwara United, derisa transferimi i tij i parë jashtë kufijve të Nigerisë kishte ndodhur verën e vitit 2012-të, kur kishte pranuar të veshë fanellën e Makabi Tel Aviv në Izrael.
Aty Kehinde qëndroi për 4 vite të plota, duke u huazuar edhe në disa skuadra tjera izraelite, derisa verën e vitit 2016-të pranoi të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, me skuadrën e Fujairah SC.
Pasoi huazimi te skuadra turke e Elazigspor, e më pas edhe te Ankaraguxhu, nga e cila skuadër janarin e vitit 2019-të u transferua te Denizlispor. Me këtë skuadër ai u shpall kampion në Ligën e Parë turke, duke ndihmuar Denizlisporin me 10 gola të shënuar në 15 ndeshje.
Paraqitjet e tij në Ligën e Parë të Turqisë panë një numër klubesh më të mëdha të rreshtuara për të nënshkruar me të. Ishte klubi nga Koreja e Jugut, Incheon Junajted që bleu kartonin e tij, mirëpo vetëm pas një viti, i njëjti vendosi të rikthehet në Turqi, që më pas sërish të luaj në Izrael para se të provonte veten edhe në futbollin tonë vendor.
TË GJITHA TRANSFERIMET
Struga Trim Lum ishte shumë aktive në këtë merkato, e cila rezultoi me 9 blerje të reja. Gjithçka kishte nisur me angazhimin e portierit Filip Dujmoviç, ndërsa që konkurrenca të jetë në nivel, më pas sollëm edhe portierin e dytë, Hristijan Stevkovski.
Mbrojtësit e krahut Bojan Ilievski dhe Masaaki Takahara, ishin emrat e rradhës. Pasoi Stefan Jeftovski, që luan si mesfushorë i fundit, njëjtë sikurse edhe Stefan Spirovski, që është një ndër blerjet më të bujshme të kësaj merkatoje, bashkë edhe me mbrojtësin e krahut të majtë, Kire Ristevski.
Këto dy emra të fundit së bashku peshojnë 115 paraqitje me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, dhe me siguri se përvoja e tyre do të jetë një ndihmë e madhe për skuadrën tonë, që gjithashtu bëri për vete edhe mesfushorin ofenziv, Arbi Vosha.