Hristijan Stevkovski i bashkohet Struga Trim Lum!

Tashmë gjithçka është zyrtare – Hristijan Stevkovski është portieri i ri i Struga Trim Lum. Gardiani shkupjan, i cili së fundmi mbronte ngjyrat e Makedonija Gj.P, me skuadrën tonë ka nënshkruar kontratë deri qershorin e vitit 2026…

I lindur me 27 shkurt të vitit 1999-të në Shkup, Hristijan Stevkovski hapat e parë i hodhi me të rinjtë e FK Skopje, me të cilën skuadër korrikun e vitit 2016-të debutoi edhe me ekipin e parë. Tek kjo skuadër Stevkovski kishte qëndruar për katër vite, mirëpo duke mos lënë gjurmë, ashtu siç bëri me Makedonija GJ.P.

Me këtë skuadër ai regjistroi plotë 110 ndeshje, përfshirë këtu edhe disa europiane, ndërsa gjithashtu me këtë skuadër ka fituar edhe dy trofe të Kupës së Maqedonisë, kur edhe ishte më i merituari, duke luajtur rolin e heroit në ruletin e penaltive.  

Tani, Stevkovski nis një aventurë të re me Struga Trim Lum, pas katër vitesh të kaluara në Gjorçe Petrov, ku ka treguar rritje në vazhdimësi.

Mirë se vini në familjen e kampionëve të Struga Trim Lum, Hristijan.