Kthehemi me barazim 2:2 nga transferta në Kavadar përballë Tikveshit. Përveç golave dhe përmbysjes së rezultatit nga ana jonë, ndeshja prodhoi edhe disa raste shumë të mira dhe një gol të anuluar të Agamah nga VAR…
Struga Trim Lum ka barazuar 2:2 në transfertën në Kavadar ndaj Tikveshit, pavarësisht se në pushim shkuam me epërsinë 2:1. Ndeshja nuk nisi mirë për skuadrën tonë, pasi ishin vendasit që shënuan të parët, ndërsa falë dyshes sulmuese Agamah-Radeski, pjesën e parë, megjithatë e mbyllëm me epërsinë e një goli. Nuk munguan edhe disa raste të tjera gjatë kësaj pjese, e ku vlen të ceket ai i minutës së 36-të, kur Agamah më vështirë e kishte të humbiste se sa të shënonte në rrjetën e zbrazët të vendasve.
Agamah shënoi edhe një tjetër gol gjatë pjesës së dytë, mirëpo i njëjti u anulua pas asistimit të VAR, me preteksin se kishte pozitë jashtëloje.
Në anën tjetër Tikveshi falë një braziliani tjetër, Renatinjo, në minutën e 87-të shënoi edhe golin e dytë, duke barazuar shifrat në 2:2.
NDESHJA
Fillimi i takimit doli të jetë i qetë, ndërsa edhe përkundër dy rivënieve të ekzekutuara brenda 10 minutave të para të takimit, nuk arritëm të rrezikojmë më seriozisht portën e Tikveshit.
Në anën tjetër ekipi vendas në rastin e parë më konkret arriti të shënojë golin e avantazhit me anë të brazilianit, Lucianinho.
Megjithatë kundërpërgjigjja erdhi shumë shpejtë, kjo pasi në minutën e 17-të, pas një aksioni të rrjedhshëm nga krahu i majtë, kapiteni Shabani pasoi në të majtë për Memetriza Hamza, i cili me shumë saktësi gjeti brenda zonës sulmuesin Hammond Agamah, i cili nuk fali dhe me kokë shënoi për barazim të rezultatit në 1:1. Për sulmuesin francez me origjinë nga Gana, ishte ky goli numër 3 këtë edicion në ndeshjet kampionale.
Pas këtij goli, skuadra shumë shpejtë mund të përmbyste rezultatin, mirëpo goditja e Besmir Bojkut nga një distancë prej rreth 20 metrash për disa centimetra kaloi skaj shtyllës së djathtë të portierit Stevkovski.
Goditjen e tij, tashmë nga një distancë edhe më e largët e provoi edhe Pape Fall në minutën e 31-të, mirëpo pa probleme për portierin vendas, i cili ishte në vendin e duhur dhe nuk e pati problem për të ndalur goditjen e mbrojtësit tonë të krahut të majtë.
Autori i golit të parë të këtij takimi, Agamah në minutën e 36-të u turpërua para portës kundërshtare, kur fare pranë huçi golin e zbrazët pas asistit të mrrekullueshëm nga ana e Arbi Voshës.
Minuta vijuese solli një aksion që premtonte shumë, mirëpo në fund u mbyll me një goditje të vakët nga ana e Lassana Diako që përfundoi në duart e portierit vendas.

Pjesa e dytë doli të jetë shumë më e qetë për dallim nga pjesa e parë, kur janë në pyetje golat, apo edhe rastet e krijuara nga të dyja anët.
Struga Trim Lum në rastin e parë më konkret arriti të shënoj edhe golin e tretë në rrjetën e Stefkovskit, mirëpo i njëjti pas intervenimit të dhomës VAR u anulua për pozitë jashtëloje.
E gjithë kjo situatë shumë diskutabile ndodhi në minutën e 71-të, ndërsa vetëm 4 minuta më pas rezervisti Daniel Kehinde nga një pozitë shumë e volitshme nuk arriti të shënoj golin e tij të parë në ndeshjet kampionale. Kapiteni Bunjamin Shabani pasi nuk arriti të gjejë hapësirën e duhur për të goditur drejt portës kundërshtare, asistoi në krahun e djathtë për të vetmuarin Daniel Kehinde, i cili edhe pse para vetes kishte një pozitë ideale për të shënuar, nuk i’a arriti qëllimit, pasi mbrojtësit e Tikveshit e devijuan topin në rivënie nga këndi.
Këto raste të pashfrytëzuara i paguam shtrenjtë fare në fund të takimit, kur në minutën e 87-të Tikveshi përmes brazilianit të dytë, Santos Fereira – Renatinjo, barazoi shifrat në 2:2.
Pas këtij goli, skuadra nuk arriti të reagoj, ashtu që në fund duheshe të kënaqeshim me vetëm një pikë nga transferta në Kavadar.
Ishte kjo transferta e tretë, në të cilën Struga Trim Lum nuk po arrinë të marrë pikët e plota këtë edicion.
ÇFARË NA PRET JAVËN E ARDHSHME?
Java e 8-të do të na servoj një ndeshje tjetër mjaft interesante, atë kundër KF Arsimit, skuadër kjo që sot barazoi 2:2 me Shkëndijën. Këtë ndeshje do ta zhvillojmë të hënën në stadiumin e qytetit në Strugë.
LPFMV, Java 7 | TIKVESHI – STRUGA TRIM LUM 2:2
Autorë të golave: Hammond Agamah 18’, Marjan Radeski 43’
Stadiumi i qytetit: Kavadar
Shikues: 1000
Arbitër kryesor: Igor Stojçevski
Kartonë të verdhë: H. Agamah;
FORMACIONI:
V. Vasilev, A. Roçi, E. Kola, P. Fall, L. Diako, A. Vosha (D. Kehinde 69’), M. Hamza, B. Bojku (A. Zendeli 64’), B. Shabani, H. Agamah (B. Ramadani 81’), M. Radeski (H. Maleski 64’);
Trajner: Bled Shkëmbi;


















