Mbrojtësi i krahut të djathtë, Bojan Ilievski, i bashkohet klubit tonë me një kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër….
I lindur në Manastir me 01 shtator të vitit 1999, Bojan Ilievski karrierën e tij e kishte nisur te skuadra e Pelisterit, duke filluar që nga grumposhat e reja, për të debutuar me ekipin e parë janarin e vitit 2018-të, kur ende nuk kishte mbushur të 19-tat.
Ai te skuadra amë qëndroi për dy vite e gjysmë, derisa verën e vitit 2021 u transferua në rradhët e Rabotniçkit. Vetëm pas një viti, i njëjti ndryshoi sërish skuadër, këtë herë duke pranuar ofertën e skuadrës tjetër shkupjane të Makedonija Gj.P.

Me këtë skuadër, Ilievski fitoi Kupën e Maqedonisë, ndërsa te skuadra jonë vjen me shpresë se në repertoarin e tij do të shtojë edhe titullin e kampionit.
Mbrojtësi i krahut të djathtë tashmë i bashkohet skuadrës tonë, duke firmosur kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Klubi ynë, me në krye presidentin Arbtrim Qyra, i uron mirëseardhje të ngrohtë Ilievskit, i cili në Ligën e Parë numëron plotë 129 ndeshje, 5 gola dhe 11 asistime.
