Nga Shkupi rikthehemi me barazim

Struga Trim Lum rikthehet me barazim nga transferta e vështirë në stadiumin e Hekuranës në Shkup, aty ku barazuam 1:1 me skuadrën e Skopjes. Doli të jetë kjo një ndeshje e vështirë, kjo edhe për shkak kushteve që ofron fusha e stadiumit në Autokomandë, ku shumë lehtë mund të ndodhte që të lëndohej ndonjëri prej futbollistëve tanë.

Në kushte të tilla Besart Ibraimi në dy raste ishte i detyruar që të kërkoj ndihmën e mjekëve, por që për fat të mirë e zhvilloi ndeshjen deri në fund.

Ndryshe ishte pikërisht Ibraimi që kaloi në epërsi skuadrën tonë, falë golit të shënuar me mjaft mjeshtëri në minutën e 15-të, kur pasi qetësoi fillimisht topin, me një lëvizje të mençur nga mbrapa, arriti që të tund rrjetën e Efremov.

Ky goli ishte i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, që nuk prodhoi edhe shumë raste, njëjtë sikurse pjesa e dytë, ku vlen të veçohet goditja nga distanca e Ibraimit në minutën e 78-të, kur vetëm shtylla shpëtoi vendasit, të cilët i përcolli fati, pasi në goditjen e tyre të parë brenda kudrantit, në minutën e 87-të me anë të nigerianit Amasihu arritën që të barazojnë shifrat në 1:1.

Pas këtij goli pasuan dy tentativa të futbollistëve tanë, kur fillimisht Mikovan Pere tentoi me një goditje për tokë nga jashtë zonës së rrezikut, që më pas edhe mbrojtësi tjetër Sava Radiç të tentojë me kokë, mirëpo pa arritur që të ndryshojë rezultatin.

Fundi solli edhe një tollovi aty pranë bankinave, ndërsa gjithçka kishte nisur me kartonin e kuq për trajnerin e vendasve Mirsad Jonuz, i cili kishte nisur një duel verbal me futbollistin tonë, Zija Merxhani.

Në ato momente arbitri kryesor dhuroi edhe ca kartona të tjerë, ndërsa i njëjti edhe pse kishte treguar 4 minuta lojë shtesë, të njëjtat nuk i respektoi, duke dhënë shenjë për fundin e takimit, vetëm disa sekonda pasi skuadrat u rikthyen në fushë, pas gjithë atyre skenave jo të këndshme.

Ishte ky barazimi i 8-të për skuadrën tonë këtë edicion, pas të cilit vazhdojmë sërish të kryesojmë renditjen, tashmë me 50 pikë, 5 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë.

Ndeshjen e rradhës e zhvillojmë në terren vendas me 15 prill kundër skuadrës së Pobedës nga Prilepi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *