Sot në kuadër të xhiros së 5-të, do të përballemi me Bregallnicën. Ndeshja luhet në Strugë, aty ku presim të kemi përkrahjen e duhur nga tifozët që janë pjesë shumë e rëndësishme e jona…
Bregallnica është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat, aty ku pas 4 xhirove të para numërojmë 7 pikë, duke u renditur në pozitën e katërt. Ndeshja ndaj skuadrës nga Shtipi është një mundësi e mirë për tu rikthyer tek fitorja, përmes së cilës identifikohemi në ndeshjet si vendas.
Në dy ndeshjet e para të këtij ediconi kemi regjistruar dy fitore pa asnjë gol të pranuar, ndërsa kjo seri shpresojmë të vazhdojë edhe pas takimit të sotëm.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, përmes së cilës do të kërkojmë që të rikthehemi tek fitoret. Shpresojmë se me një angazhim dhe seriozitet të madh nga ana e gjithë skuadrës, në fund mund të arrijmë fitoren. Mendoj se jemi më të mirë se kundërshtari, ndërsa një gjë të tillë do të duhet ta dëshmojmë edhe në fushën e blertë” – deklaroi Landrit Rama, që sot pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të katërt këtë edicion.
Se si i ka përjetuar këto ndeshje, Rama me përgjigje: “Orari deshi që deri më tani të jemi ndeshur me disa nga skuadrat më të mira të Ligës. Është një niveln shumë i mirë. Kemi marrë dy fitore, një barazim dhe një disfatë në ndeshjen e fundit, që mendoj se mund ta kishim shmangur po të ishim më vigjilent në ato momente të fundit. Nga ajo që kam parë deri tani, mendoj se do të jetë interesante lufta për titull.”.
Landrit Rama po zhvillon edicionin e tij të parë në futbollin e Maqedonisë. Ai skuadrës së Struga Trim Lum iu bashkua këtë verë, duke ardhur nga skuadra e KF Lllapit nga Superliga e Kosovës. Vallë sheh ndonjë dallim midis këtyre dy ligave, Rama?
“Sa i përket dallimit mes ligës këtu dhe asaj të Kosovës ku kam luajtur më gjatë kohë, nuk shoh edhe ndonjë dallim të madh. Sistemi i garave zhvillohet në të njëjtën mënyrë dhe shoh që ka rivalitet mes ekipeve edhe këtu. Besoj se kjo i jep ngjyrë kampionatit, ndërsa në mesin e skuadrave pretendente për titull e shoh edhe skuadrën time të Struga Trim Lum”.
Ndeshja ndërmjet Struga Trim Lum dhe Bregallnicës luhet sot në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 17:00.


















