“Të Kuqtë” rikthehen pas një pauze të gjatë për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, teksa të hënën do të përballen me skuadrën e Bashkimit në Kumanovë…
Entuziazmi në skuadër është i lartë, pavarësisht se tre javë të plota nuk kishim ndeshje zyrtare. Pauzën e shfrytëzuam për dy miqësore, njëra kundër Novacit në Strugë dhe një tjetër kundër Elbasanit në Elbasan, e ku realisht nuk dolëm mirë me rezultate.
Mirëpo kjo ka shumë pak rëndësi, pasi Struga Trim Lum është gati për të treguar veten pikërisht në ndeshjet zyrtare, e që e para pas kësaj pauze, do të jetë ajo kundër Bashkimit në Kumanovë.
Në prag të këtij takimi, ka folur sulmuesi Hristijan Maleski, që gjithashtu foli edhe për debutimin e tij me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë.
“Gjithsesi se kemi respekt për Bashkimin, pavarësisht se ndodhen poshtë në renditje. Struga Trim Lum si zakonisht në çdo ndeshje futet për të fituar 3 pikët, ashtu që edhe të hënën në Kumanovë, shpresojmë të arrijmë fitoren e rradhës në kampionat” – u shpreh fillimisht sulmuesi Hristijan Maleski, që foli edhe për atmosferën brenda skuadrës: “Kemi një atmosferë të shkëlqyer, jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje, ashtu që shpresojmë se edhe nesër do të zhvillojmë një ndeshje cilësore dhe se në fund do të jemi neve ata që do ti gëzohemi fitores.”
Maleski për gati dy javë ishte pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, për të cilën bëri edhe debutimin e tij historik në ndeshjen kundër Sllovenisë me 29 shtator. Në atë ndeshje luajti për 29 minuta, ndërsa gjithashtu pati hapësirë për të luajtur edhe kundër Skocisë në Shkup.

“Ëndërr e çdo futbollisti është që të debutoj me fanellën e shtetit të tij. Sinqerisht nuk mund ta përshkruash edhe ndjenjën që ke në ato momente. Fatkeqësisht nuk është se na shkuan punët mbarë, megjithatë unë do jem i gatshëm çdoherë kur do të më jepet mundësia për të përfaqësuar vendin tim në mënyrën më të mirë.” – tha Maleski, që ftesën për te përfaqësuesja futbollistike e vendit, e fitoi falë performancave të tij, si edicionin e kaluar, ashtu edhe në këtë fillim sezoni.
Në 8 xhirot e deritanishme, Maleski ka realizuar 5 gola, ndërsa i njëjti beson se sezonin aktual do të bëj edhe më mirë se edicionin e kaluar, kur në 33 ndeshje, realizoi 16 gola.
“Pse jo, unë besoj tek vetja dhe shpresoj se këtë edicion do të tejkalojë atë numër të golave që e arrita sezonin e kaluar. Megjithatë, dëshira edhe më e madhe e imja, është që me golat e mi të ndihmojë Struga Trim Lum, dhe në fund të fitojmë trofe”. – deklaroi Maleski, që nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 99-të me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjet e Ligës së Parë.


















