Bregallnica është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat, aty ku deri në mbyllje të sezonit kanë mbetur vetëm edhe 4 xhiro. Për ne si skuadër, secila ndeshje është si një lloj finale, kjo për faktin se jemi në “pole-position” për titullin e kampionit. Ndaj nëse e duam aq shumë këtë titull, neve duhet të jemi të pagabueshëm, pasi çdo gabim mund të na kushtojë shtrenjtë.
“Kemi arritur në një fazë, ku nuk duhet gabuar. Çdo gabim mund ta paguajmë shtrenjtë pasi fatin e titullit kampion e kemi në duart tona, pra gjithçka varet nga ne. Për këtë gjë jemi shumë të vetëdijshëm, ndaj edhe kundër Bregallnicës duhet të jemi në nivel, për të shpresuar në një rezultat pozitiv. Pa dyshim se fusha në Shtip është një ndër më të papërshtatshmet, mirëpo duke pasur parasysh se ja kemi dalë në transferta më të vështira se kjo, besoj se do ja dalim edhe kësaj rradhe dhe se nga Shtipi do rikthehemi të pamposhtur.” – është shprehur zv.kapiteni Bunjamin Shabani, i cili me 8 gola të shënuar, renditet në mesin e TOP5 golashënuesve më të mirë të këtij edicioni.