Struga Trim Lum sot edhe zyrtarisht festoi titullin e kampionit në elitën e futbollit të Maqedonisë. Edhe pse titulli u sigurua matematikisht që dy xhiro më parë, vetëm sot pas ndeshjes së xhiros së 33-të kundër FC Shkupit, pranuan trofeun e dedikuar për ekipin më të mirë të sezonit, të cilin e ndau numri një i futbollit në vend, Muhamed Sejdini.
Struga Trim Lum ishte e gatshme për festë pavarësisht rezultatit të ndeshjes së sotme, që në fund u mbyll me fitoren tonë 2:1, pavarësisht se ishin mysafirët nga Shkupi që avansuan të parët.
Vërtetë momente emocionuese në stadiumin e qytetit të Strugës, aty ku vetëm se festa ka filluar që javë më parë, ndërsa e njëjta do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Momenti më i bukur i takimit të sotëm, pa dyshim ishte ai momenti kur dy kapitenët Flamur Tairi dhe Bunjamin Shabani, ngritën lartë trofeun e kampionit, që do mbahet mend gjatë kohë.
NDESHJA STRUGA TRIM LUM – FC SHKUPI
Duke pasur parasysh se epilogu i takimit nuk kishte kurfarë ndikimi në renditje për asnjërën skuadër, futbollistët tanë u futën pa asnjë ngarkesë në këtë ndeshje, në të cilën të parët avansuan miqtë nga Shkupi me golin e sulmuesit Adetunxhi në minutën e 28-të.
Me këtë gol u mbyll edhe pjesa e parë e takimit, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, skuadra jonë vendosi një presion drejt portës së Iljazit, që në minutën e 51-të rezultoi me golin e rezervistit Marjan Radeski, i cili mjaft mirë reagoi në shtyllën e parë dhe me kokë shënoi për 1:1.
Ky gol dhe publiku në tribuna i dhanë krahë skuadrës që vazhdoi dominimin në fushë, derisa në minutën e 84-të, pas një aksioni mirë të ndëruar nga krahu i majtë, me Mexhitin që pasoi për Ibraimin, ky i fundit në fund, ndoshta edhe me fat shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve, pas topit të devijuar të goditjes së Bunjamin Shabanit.
Ishte ky goli i 19-të për Besart Ibraimin, i cili edhe njëherë tjetër dëshmoi cilësitë e tij të larta realizuese, dhe që në sezonin e parë debutues me fanellën e skuadrës tonë, doli të jetë sërish më i miri në zanatin e golave.
Ndryshe, sezonin më të suksesshëm në histori e mbyllëm me 68 pikë, 10 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë.