Të mërkurën luajmë një ndër ndeshjet më të rëndësishme në historikun tonë, teksa në Strugë do të mirëpresim Sileksin në ndeshjen e vetme gjysmëfinale. Fituesi nga ky duel siguron finalen e madhe, që do ishte e para për ne si skuadër, por jo edhe për kapitenin tonë, Bunjamin Shabani, i cili ka përvojë nga ndeshje të këtilla.
Megjithatë, i njëjti shprehet me rezerva nbë prag të këtij takimi, duke potencuar faktin se ndeshjet gjysmëfinale nuk janë aspak të lehta, për më tepër kur fatin e vendos vetëm një ndeshje.
“Ndeshjet gjysmëfinale nuk janë të lehta pavarësisht cilin skuadër ke përballë. Respekte për Sileksin, mirëpo duke pasur parasysh se zhvillohet vetëm një ndeshje do të duhet të bëjmë shumë kujdes dhe me një angazhim maksimal të të gjithë futbollistëve shpresojmë se këtë vit do të luajmë në finalen e madhe të Kupës” – shprehet Bunjamin Shabani.
Shabani fton tifozët në numër sa më të madh…
“Edhe pse është ditë pune, shpresoj nesër të kemi tifozët tanë pranë, pasi në ndeshje të këtilla prezenca e tyre është shumë domethënëse. Si kapiten i skuadrës ftoj të gjithë struganët, por edhe ata tifoz të skuadrës tonë ane mbanë që të vijnë dhe të në përkrahin, që në fund të shkruajmë historinë më të re të skuadrës bashkë. Le të jetë kjo një festë për Strugën dhe për ekipin me në krye sponzorin Trim Lum, që vërtetë kanë bërë një punë të shkëlqyer për qytetin e tyre, duke krijuar një skuadër konkurruese si për titull, ashtu edhe për trofeun e Kupës” – përfundon deklaratën e tij, Shabani, i cili në 14 përballjet e deritanishme që i ka zhvilluar ndaj Sileksit, ka realizuar dy gola.
Një gol, mesfushori kumanovar e kishte realizuar me fanellën e skuadrës tonë, edhe atë në fitoren 2:1 të skuadrës tonë edicionin e kaluar, ndërsa një gol tjetër në rrjetën e skuadrës nga Kratova e kishte realizuar si pjesë e FC Shkupit.