RAPORTI I NDESHJES | SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM

Pësojmë disfatën e dytë rradhazi në kampionat. Këtë herë u mundëm në transfertën e vështirë në Tetovë përballë Shkëndijës….

Struga Trim Lum ka pësuar disfatë minimale në udhëtim te Shkëndija në Tetovë, ndeshje kjo që i takonte xhiros së dytë, e që u zhvillua vetëm sot për shkak ndeshjeve që i zhvilluam në Europë në atë periudhë kur kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohet me datë 13 gusht.

Në një ndeshje tipike kampionale, me raste nga të dyja anët, Shkëndija shfytëzoi momentin në fillimin e pjesës së dytë të na ndëshkojë nga një ndërprerje, kur Aganspahiç me kokë tundi rrjetën e Qoshevskit.

Ndryshe gjatë pjesës së parë vlen të theksohen edhe disa intervenime të shkëlqyeshme të portierit tonë, Vedran Qoshevski, por edhe raste të lojtarëve tanë, teksa i fundit i takoi mbrojtësit Mexhit Neziri në minutën e fundit të pjesës së parë, kur me kokë tentoi të tund rrjetën e vendasve, mirëpo pa sukses, pasi goditja e tij përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.

Pjesa e dytë nuk nisi mirë për skuadrën tonë, pasi vetëm pas dy minutave të kaluara u ndëshkuam, derisa vazhdimi na takoi neve, kur janë në pyetje rastet e krijuara, por asnjë dobi nga e gjithë kjo, duke pasur parasysh finalizimin e dobët.

Në minutën e 53-të, Zguro nga e majta bukur ktheu topin para 5-metërshit të portierit vendas, mirëpo as Kamberi, e as Radeski nuk arritën të shfrytëzojnë pasimin e majtistit tonë, derisa Bojku me një goditje qendrore i mundësoi Taleskit të intervenojë pa probleme.

Rastin më të mirë për të barazuar shifrat e kishim në minutën e 60-të. Radeski pasi bëri gjithçka mirë para dy mbrojtësve të Shkëndijës, duke i larguar nga loja, në pamundësi për të goditur, vendosi të pasojë për Bekim Kamberin, mirëpo ky  i fundit në momentin final, rrëshqiti dhe nuk arriti as që të godas topin për ta shtyrë në rrjetë.

Në minutën e 74-të, Zguro edhe njëherë tjetër bukur veproi nga krahu i majtë, duke pasuar për Radeskin brenda zonës, mirëpo i njëjti u ndal nga Adili, edhe pse në këto momente arbitri anësor kishte ngritur lartë flamurin për pozicion jashtëloje.

Në minutën e 89-të Mazrekaj mjaft mirë përfitoi hapësirën e duhur nga distanca për të goditur, mirëpo edhe njëherë tjetër në vendin e duhur u shfaq portieri vendas, Taleski, i cili në aksionin e rradhës tonin, në minutat shtesë, mjaft mirë intervenoi edhe pas goditjes së Bunjamin Shabanit, që ishte shumë pranë për të luajtur sërish heroin e skuadrës tonë, ashtu siç kishte bërë në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Tetovë kundër të njëjtit kundërshtarë, kur me dy gola i vetëm kishte fituar Shkëndijën.

Tashmë neve na mbetet të rikuperohemi shpejtë nga kjo disfatë dhe të mendojmë për ndeshjen e rradhës kundër Sileksit, ndeshje kjo që në program do të jetë të dielën në Strugë.

________________________________________________________________________________________________________________

LPFMV | Java 2 (ndeshje e mbetur)

Stadiumi i Tetovës: 2000

SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM 1:0

A.Aganspahiç 47’

Arbitër kryesor: Krumisllav Gjorgiev

Ndihmës i parë: Daniell Vasilelevski

Ndihmës i dytë: Kristijan Xhonov

Arbitër i katërt: Darko Stojçevski

Formacionet:

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, M. Neziri, S.Radiç, B. Krivanjeva, V. Zguro; H.Ukpa, B. Bojku, B. Shabani; B.Kamberi, M.Radeski, M. Mazrekaj

SHKËNDIJA: D. Taleski, M.Maksimov, A.Limani, M.Adili, K.Cake; B. Dita, K. Qaka, E. Totre, E. Krasniqi; E. Çinari, A.Aganspahiç