PRAG NDESHJA | VOSKA SPORT – STRUGA TRIM LUM

Të mërkurën në Ohër kundër Voska Sport do të zhvillojmë ndeshjen e mbetur të javës së katërt. Njëherit do të jetë kjo ndeshja ynë e parë zyrtare ndaj këtij rivali, me të cilët numërojmë 3 ndeshje miqësore….

Me fitoren ndaj Rabotniçkit në fundjavë,  ekipi i Shpëtim Duros është gati për ndeshjen e vetme të Ligës së Parë në mesjavë, ku do të kërkojë ringjitjen në tabelën e klasifikimit.

Ekipi strugan do të përballet me Voska Sport, skuadër kjo që ndodhet në mjaft vështirësi, aktualisht e treta nga fundi i tabelës dhe e uritur për pikë, duke qenë se janë mundur në dy ndeshjet e fundit kampionale. 

Në anën tjetër skuadra jonë ka lidhur tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat, pas atij eliminimi në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës ndaj skuadrës së Breidablik.

Para nesh u dorëzuan Tikveshi, Bregallnica dhe së fundmi Rabotniçki.

Një vështrim i pikave të forta dhe të dobëta të skuadrës së Voska Sport

Në përgjithësi, aftësia e tyre para portës ka qenë e kënaqshme, duke marrë në konsideratë 8 golat e shënuar në 7 ndeshje, edhe atë që të gjithë të shënuar nga dyshja sulmuese, Aleksa Marushiç – Alen Jasharovski.

Ky i fundit shkëlqeu në atë fitore 3:2 ndaj Vardarit, duke mundur i vetëm rivalin e madh në kohën kur garonin në Ligën e Dytë, ndërkohë Marushiç ka shënuar pjesën tjetër të golave, gjithsej 5, edhe atë në vetëm 3 ndeshje.

Nga dy gola sulmuesi malazez u ka shënuar Bregallnicës dhe së fundmi FC Shkupit, ndërsa një gol tjetër kishte realizuar në transfertën ndaj Tikveshit në Kavadar.

Përveç 5 golave të shënuar Marushiç, ka bërë edhe dy asistime, duke qenë violina e parë te skuadra e Milan Radoviç.

Mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se mbrojtja e Voska Sport ka qenë në nivel gjatë 7 ndeshjeve të zhvilluara. Mbrojtësit e kësaj skuadre me në krye portierin Hadis Velii kanë pësuar plotë 11 gola, ndërsa dy gola mund të thuhet se ishin drejtëpërdrejtë dhuratë e bërë nga portieri.

Pikërisht nesër kundër Struga Trim Lum mund të presim ndryshim në portë, ndërsa me shumë gjasa edhe në vijën e fundit të mbrojtjes, aty ku së fundmi kundër FC Shkupit trajneri Radoviç luajti me 5 mbrojtës, ndërsa deri më tani i njëjti më së shumti ka preferuar skemën 3-1-4-2, me 3 mbrojtës dhe kapitenin Nikoliç si urë lidhëse mes mbrojtjes dhe mesfushës, ndërsa zakonisht në sulm ka luajtur me dyshen, Marushiç-Jasharovski.

Kështu Milan Radoviç me siguri do të duhet të përpiqet të shfrytëzojë sa më shumë potencialin teknik që ka në dispozicion për të tentuar të dëmtojë Struga Trim Lum.

RENDITJA MOMENTALE

Struga Trim Lum për shkak paraqitjeve në Europë, këtë edicion ka zhvilluar vetëm 5 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore dhe 1 disfatë nga AP Brera, edhe atë pas atij udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm që kishte në Luksemburg, ku arriti të eliminojë kampionët e atij vendi, Swift Hesperange, që më pas të mirëpret në ndeshjen vendimtare islandezët e Breidablik.

Mes këtyre dy ndeshjeve shumë të rëndësishme, Struga Trim Lum zhvilloi ndeshjen kundër skuadrës nga Strumica, që nuk u pajtua me zhvendosjen e atij takimi, ndërsa një gjë të tillë pa u hamendur fare bënë drejtuesit e Voska Sport, të cilët shfrytëzojmë rastin ti falënderojmë.

Me 12 pikë të tubuara skuadra jonë ndodhet vetëm 4 pikë larg Shkëndijës së vendit të parë, me të cilën skuadër gjithashtu do të takohemi të mërkurën e ardhshme në Tetovë.

Aktualisht Struga Trim Lum renditet në pozitën e 6-të, ndërsa Voska Sport me 7 pikë të tubuara renditet në pozitën e 10-të.

LAJMET E FUNDIT BRENDA EKIPIT

Mungesa e vetme për ndeshjen e nesërme do të jetë mesfushori Besmir Bojku, i cili nga Komisioni i garave ishte dënuar me dy ndeshje pas atij kartoni të kuq ndaj Bregallnicës në Shtip (17.09), kështu që i njëjti do të pauzojë edhe nesër në përballjen ndaj Voska Sport.

Lajm i mirë është rikthimi në mesfushë i Hristijan Georgievskit, që pritet të zëvendësojë denjësisht Bojkun, ndërsa sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, të gjithë janë të gatshëm për të dhënë më të mirën.

FAKTE DHE STATISTIKA

Ndeshja e nesërme midis Struga Trim Lum dhe Voska Sport do të jetë ndeshja e parë zyrtare mes këtyre dy skuadrave buzë liqenit. Deri më tani këto dy skuadra nga qytetet e bukura turistike të Ohrit, gjegjësisht Strugës, kanë zhvilluar tre ndeshje miqësore.

Dy fitore për Struga Trim Lum dhe një për skuadrën e Voska Sport është epilogu nga këto ndeshje, ndërsa nesër pritet të shohim se kush do të ngrejë lartë bajrakun në këtë derbi lokal, bazuar nga afërsia që kanë këto dy skuadra, por edhe lidhshmërisë së tyre.

Kujtojmë këto dy skuadra do të përballen gjithashtu edhe pas një muaji, më saktësisht me datë 25 tetor në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë.

ZYRTARËT E TAKIMIT

Drejtësinë në takimin e nesërm kundër Voska Sport do ta ndajë Stojançe Stojanov nga Shtipi, së bashku me ndihmësit e tij nga Tetova, Darko Jovçevski dhe Aleksandar Gjorgjeski. Arbitër i katërt do të jetë Furkan Idrizi, poashtu nga Tetova.

Për Stojanov takimi i nesërm midis Voska Sport dhe Struga Trim Lum do të jetë i katërti që do ta drejtojë gjatë këtij edicioni, në të cilin në dy ndeshje i ka referuar skuadrës shqiptare nga Ohri.

Vlen të theksohet se kur Stojanov ndanë drejtësinë në ndeshjet e skuadrës së Voska Sport, kjo skuadër nuk njeh fitore, apo edhe barazim, por njeh dy disfata, edhe atë identike 2:0, kundër AP Brera, gjegjësisht Rabotniçkit. Ndeshja e nesërme do të jetë e para që do i referojë Voska Sportit në Ohër, ndërsa njëkohësisht do të jetë vetëm ndeshja e dytë që do të referojë ndaj nesh.

Ndeshja e vetme në të cilën na ka referuar Stojanov, ka qenë ajo e 30 tetorit të vitit 2021 kundër AP Brera, ndeshje që ishte mbyllur me barazim pa gola.

NDESHJA

Ndeshja midis Voska Sport dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Ohër me fillim në ora 15:00