Struga Trim Lum ka shkruar historinë sot, duke u kualifikuar në finalen e Kupës së Maqedonisë. Pa dyshim është ky suksesi më i madh në historikun e skuadrës tonë, pas atij të dy viteve më parë kur luajtëm edhe në arenën ndërkombëtare.
Në takimim gjysmëfinal të zhvilluar sot para tifozëve tanë, falë golit të shënuar nga Mexhit Neziri, mundëm Sileksin me rezultatin minimal 1:0, duke iu hakmarrë në këtë mënyrë për disfatën e para dy viteve, po në gjysmëfinale të Kupës.
Golin e vetëm që shkroi historinë më të re të skuadrës tonë, Neziri e realizoi në minutën e 65-të, kur mjaft mirë reagoi në zonën kundërshtare dhe me kokë mposhti portierin Bozhinovski.
Neziri një rast ideal shënimi kishte edhe gjatë pjesës së parë, ku vlen të veçohet edhe rasti i Hristijan Maleskit, që e kishte nisur këtë takim titullarë, ndërsa vendin e tij në fillimin e pjesës së dytë e zuri Besart Ibraimi, inkuadrimi i të cilit solli shumë freski në vijën sulmuese, aty ku ishim shumë më kërkues gjatë pjesës së dytë.
Pikërisht Ibraimi kishte kanosjen e parë më serioze për skuadrën tonë gjatë pjesës së dytë, derisa në minutën e 65-të falë harkimit të mrrekullueshëm të Valentin Koçoskit nga rivënia e këndit, Mexhit Neziri me kokë shënoi golin e tij të parë me fanellën e Struga Trim Lum dhe me siguri një ndër golat më të veçantë në karrierën e tij, duke pasur parasysh se pikërisht ky gol i mundësoi Struga Trim Lum që për herë të parë në historinë vetëm 8-vjeçare nga themelimi, të luaj në një finale të Kupës.
Deri në fund të takimit ekipi ynë u kanos edhe me anë të Bunjamin Shabanit, i cili në minutën e 70-të bëri gjithçka mirë patra zonës kundërshtare, duke përfituar hapësirën e duhur për të goditur, mirëpo me një intervenim bravuroz, Bozhinovski i kishte mohuar golin kapitenit tonë.
Portieri mysafir ishte shumë me fat edhe në minutën e 83-të, kur në momentin e fundit goditja e Besart Ibraimit ishte devijuar në rivënie nga këndi.
Ibraimi u kanos edhe në minutën e 93-të, mirëpo edhe njëherë tjetër Bozhinovski ishte në vendin e duhur, duke i mohuar golin e dytë skuadrës tonë, që në fund me plotë meritë triumfoi në këtë ndeshje gjysmëfinale.
Festa vetëm sa ka filluar, pasi kujtojmë se skuadra jhonë është edhe në garë për titullin e kampionit, ashtu që shpresojmë që në fund viti 2023 të jetë viti i Struga Trim Lum.