Po bëhen përgatitjet e fundit para finales së madhe të Kupës, Struga Trim Lum-Makedonija GJ.P

Struga Trim Lum me intenzitet maksimal është duke u përgatitur për finalen e Kupës së Maqedonisë kundër Makedonija GJ.P, ndeshje kjo që në program është të shtunën në Shkup. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Shpëtim Duro që nga dita e martë është transferuar në Mavrovë, aty ku strategu nga Shqipëria bashkë me stafin e tij, po bëjnë edhe taktizimet e fundit para ndeshjes historike për klubin tonë.
Ndërkohë, derisa ekipi po përgatitet në fushën e blertë, në aspekt organizativ janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për një organizim të denjtë të takimit në fjalë, në të cilin skuadra jonë do të tentojë të shkruaj historinë më të lavdishme të klubit, të themeluar vetëm në vitin 2015-të.

TAKIMI FFM-EKIPET

FFM në një takim të përbashkët me përfaqësues të klubeve finaliste dhe përfaqësues të Ministrisë për Punë të Brendshme gjatë këtyre ditëve kanë definuar masat dhe preventivat që  duhet të ndërmiren për organizimin e denjtë të finales së Kupës së Maqedonisë, më 20 maj në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së.

Igor Frangovski, i cili do të jetë delegat i takimit final, ka njoftuar klubet me obligimet që u takojnë për organizim të kësaj përballjeje.

Nga klubet është kërkuar bashkëpunim i plotë me tifozët e tyre për të kontribuar në krijimin e një ambienti sportiv, pa probleme, provokime dhe sjellje të pahijshme, ndaj të cilave personat e rendit do të përgjigjen në pajtueshmëri me rekomandimet e Rregullores për garim të FFM-së.

Duke u bazuar në kushtet që ofron stadiumi “Petar Milloshevski”, FFM në bashkëpunim me skuadrat finaliste kanë vendosur numër të kufizuar të biletave për secilin ekip (300 bileta), ndërsa sipas Rregullores për Siguri të FFM-së dhe Ligjit për ndalimin e dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ndeshjet sportive, klubet gjithashtu detyrohen të ndërmarin masat dhe aktivitetet për ndeshjen në fjalë.

Qëndrimi i përbashkët i të pranishmëve në mbledhje ishte edhe vërejtja që duhet të përcillet deri te të gjithë ata që kanë ndërmend të jenë prezent në këtë ndeshje se do të ndalohet futja në tribuna e  mjeteve piroteknike, flamujve apo transparentëve me përmbajtje të palejuar dhe mjete tjera me tekst, fotografi, shenjë apo shënime tjera, si dhe të këndohen përmbajtje që provokojnë dhe inicojnë urrejtje apo dhunë në bazë të përkatësisë fetare, racore apo nacionale.

Në të kundërtën nga ana e delegatit dhe arbitrit kryesor do të ndërmerren masat dhe aktivitetet në bazë të Rregullores për gara.

KONFERENCA PËR SHTYP

Një ditë para finales, më 19-të maj te press qendra e Federatës së Futbollit të Maqedonisë me fillim në ora 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare në prag të finales së madhe.

MESAZHI…..

Struga Trim Lum të shtunën beson në mbështetje të plotë nga tifozët besnik të saj, duke kërkuar njëkohësisht nga ata që të sillen në pajtueshmëri me rekomandimet e Rregullores për garim në qëllimin për të na ndihmuar neve si skuadër që në fund ti gëzohemi trofeut të parë të Kupës, për ta përmbushur në mënyrën më të mirë edicionin 2022/23, ku vetëm disa ditë më parë pranuam trofeun e titullit kampion.

Ndeshja finale midis Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P në program është me datë 20 maj me fillim në ora 17:00, në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së në Shkup.