Konferencë për shtyp në prag të ndeshjes finale të Kupës kundër Makedonija GJ.P

Struga Trim Lum e përfaqësuar nga trajneri Shpëtim Duro dhe dy kapitenët Flamur Tairi dhe Bunjamin Shabani folën para mediave në prag të ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë kundër Makedonija Gj.P.

Ndeshja në fjalë në program është të shtunën, ndërsa në rradhët e ekipit tonë vërehet një optimizëm shumë i madh, sidomos pas fitimit të titullit kampion.

Duro: Pas titullit kampion, tashmë rradhën e ka Kupa

“Ne e mbaruam një edicion të suksesshëm, duke fituar titullin kampion, tashmë jemi përballë  një aktiviteti tjetër, që është Kupa e Maqedonisë. Jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj jave, që me seriozitet, me përqëndrim maksimal, të shkojmë në këtë takim, që patjetër është një eveniment shumë i rëndësishëm, është takim final dhe do ta vlerësojmë në mënyrë jashtëzakonisht maksimale”.

Euforia në skuadër pas titullit kampion

Duro: Jemi me këmbë në tokë

“Sigurisht që optimizmi është normal, por ne si klub me shumë futbollistë me përvojë, por edhe drejtuesit e klubit, jemi me këmbë në tokë, ju e keni parë edhe festimet kanë qenë brenda atyre kornizave, pra nuk kemi bërë ndonjë situatë të jashtëzakonshme. Neve që në ditën e nesërme bashkë me drejtuesit menduam që ta grumbullojmë skuadrën larg ambientit të Strugës prej tre ditësh në Mavorovë, kjo ka qenë arsyeja që të punojmë në qetësi për ndeshjen e nesërme”.

Rëndësia e trofeut të Kupës

Duro: E jashtëzakonshme nëse do fitonim edhe Kupën

“Patjetër që është shumë e rëndësishme, kjo është arsyeja që neve kemi marrë seriozisht punët për përgatitjen e këtij takimi, ne jemi skuadër modeste në raport me historinë e skuadrave tjera, titulli kampion, e kam thënë, jo që është vetëm historik, por është edhe unik, kështu që ne do bëjmë të pamundërën, është takim final, sigurisht është një ndeshje e vetme ka specifikë tjetër, të gjitha mundësitë ekzistojnë, shanset janë të barabarta, por duke iu referuar edhe unë gjendjes së skuadrës, të paktën kësaj periudhe 2-3 mujore sa jam unë në krye, skuadra është jashtëzakonisht kompakte, kam futbollistë me shumë përvojë, që do dinë ta vlerësojnë edhe këtë takim, sepse në fund të fundit është një trofe, dhe nëse arrijmë ta marrim ne këtë trofe, do të jetë diçka e jashtëzakonshme, për një skuadër si Struga Trim Lum”.

Flamur Tairi

Besoj se do të sjellim edhe trofeun e Kupës në Strugë

“Jemi përgatitur shumë mirë për ndeshjen finale të Kupës, vijmë pas fitimit të titullit kampion dhe siç e theksoi edhe profesor Duro, kemi shkuar në Mavrovë, që të punojmë dhe ta përgatisim ndeshjen mjaft mirë. Besoj dhe shpresoj se do ta sjellim edhe këtë Kup në Strugë. Besoj në kualitetin e çunave të ekipit, dhe kemi mjaft futbollistë që kanë luajtur në ndeshje të këtilla finale, dhe besoj se në fund neve do dalim fitues”.

Bunjamin Shabani

Nuk ka rëndësi kush shënon, me rëndësi të fitojmë trofeun

“Neve si grup jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje finale. Edhe në kampionat mund të them se çdo ndeshje e kemi patur si finale dhe nuk është me rëndësi nesër kush do e vendos, apo kush do shënojë, por është shumë me rëndësi si skuadër të bëjmë një paraqitje shumë të mirë, do bëjmë maksimumin të gjithë dhe shpresoj që në fund ta fitojmë edhe këtë titull”.

Makedonija GJ.P skuadra e vetme që nuk e kemi fituar…

Bunjamin Shabani

Nesër do të jetë më ndryshe…

“Në dy ndeshjet e fundit kundër Makedonija GJ.P në Strugë luajtëm baraz, mirëpo kjo nuk do të thotë që edhe nesër nuk do të fitojmë. Mendoj se jemi të gatshëm për këtë ndeshje, pasi nesër do të jetë më ndryshe dhe mendoj se është rradha për ti mundur”.

“Vetë ndeshja që është finale është e vështirë, është vetëm një ndeshje, Makedonija Gj.P e ka dëshmuar këtë vit, kemi dy barazime në Strugë. Është një skuadër shumë e papërshtatshme, por ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe mendoj se do të japim më të mirën për ta fituar të njëjtën”.

Flamur Tairi

Neve jemi kampion dhe në fund besoj do dalim fitues

“Është e vërtetë që këtë edicion në tre ndeshje nuk arritëm ta fitojmë Makedonija Gj.P, edhe pse duhet ta them se ishim kundërshtarë më i mirë në të gjitha ato ndeshje, mirëpo fati nuk ishte me ne. Por kjo nuk do të thotë se edhe ndeshja e nesërme do të jetë e njëjtë si ato paraprake. E vlerësojmë shumë Makedonija GJ.P, mirpëo neve jemi kampionët dhe normal që edhe në këtë ndeshje futemi si kampion dhe besojmë se në fund do dalim fitues”.

Shpëtim Duro beson te skuadra

“Ashtu si i njohim ne ata, gjithashtu edhe at ana njohin ne, nuk ka sekret këtu, njohim edhe ne lojtarët e tyre dhe e dimë se si luajnë, por kjo është një ndeshje finale, është një kundërshtarë kompakt, është solid, jo rastësisht është finalist edhe fitues i Kupës, pra nga ana jonë është vlerësimi maksimal, kemi punuar gjatë gjithë javës, sigurisht në varësi të kundërshtarit. Por thash ky takim është finale, si do që të jetë puna, neve kemi jashtëzakonisht gjendjen mirë, me gjithë treguesit, por një ndeshje e vetme ndodh çdo gjë. Unë kam besim jashtëzakonisht shumë te skuadra”.

Përparësia e Struga Trim Lum

Duro: Ne jemi kampion

“Ne jemi kampion. Ecuria e skuadrës është fantastike, një skuadër që ka arritur ftoret në vazhdimësi, golat e pësuar, kemi pësuar vetëm 4-5 gola, ndërsa kemi shënuar shumë, pra gjithë treguesit që duhet të ketë një skuadër, këto janë avantazhe, patjetër janë edhe lojtarët që i kemi, që na e bëjnë punën më të lehtë mua, pasi kemi shumë futbollistë me mjaft eksperiencë, me mjaft përvojë, që janë shpallur edhe kampion, pra besoj se do dinë se si të sillen në këtë ndeshje”.

Struga Trim Lum që sot në mesditë është vendosur në Shkup, ndërsa pas Konferencës për shtyp të organizuar në orën 16:00, skuadra me fillim në ora 17:00 zhvilloi stërvitjen zyrtare para ndeshjes së nesërme në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së.

Ndeshja Struga Trim Lum – Makedonija GJ.P zhvillohet të shtunën (20.05) me fillim në ora 17:00.