Konferenca për shtyp, Shpëtim Duro dhe kapiteni Bunjamin Shabani flasin në prag të ndeshjes me Hesperange

Struga Trim Lum të enjten në Luksemburg do të zhvillojë ndeshjen e kthimit kundër Swift Hesperange në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës. Fitorja me rezultatin 3:1 nga ndeshja e parë në Shkup na jep të drejtë të shpresojmë për kalimin në turin tjetër, megjithatë trajneri Shpëtim Duro, thotë se në lojë janë edhe 90 minuta të tjera, ashtu që duhet harrur gjithçka nga ajo ndeshje. Ai pret që kundërshtari të luaj një lojë agresive, për të cilën thotë se skuadra është e përgatitur.

“Në këtë ndeshje futemi pas një rezultati pozitiv nga ndeshja e parë, por janë edhe 90 minuta të tjera për tu luajtur. Kam biseduar me skuadrën që duhet ta fshijmë nga kujtesa lojën e parë, duhet të përqëndrohemi te kjo ndeshje për të bërë maksimumin dhe për të kaluar në turin tjetër. Shpresojmë që skuadra të bëjë një paraqitje tjetër të mirë në vazhdën e gjitha ndeshjeve që ka zhvilluar në Europë, si në ndeshjet brenda, por edhe dy ndeshjet që i kemi zhvilluar jashtë fushës tonë, si me Zhalgirisin dhe Buduçnostin, skuadra jonë ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira. Shpresojmë të vazhdojmë këtë seri të ndeshjeve të mira.” – shprehet Shpëtim Duro.  

“Unë e kam komentuar ndeshjen e parë, pjesa e parë ka qenë jashtëzakonisht e mirë, kemi dominuar, kemi shënuar, por goli i shpejtë në sekondat e para të pjesës së dytë, krijoi një tension te skuadra dhe i dha moral kundërshtarit, por pastaj gradualisht pas 15 minutave të para, përsëri ekuilibroi situatat e lojës, arritëm të shënojmë edhe golin e tretë dhe çdo gjë shkoi në mënyrë pozitive.” – deklaroi Duro.  

“Patjetër që nesër kundërshtari nuk ka çfarë të humbasi, do jetë agresiv, por edhe skuadra jonë do ti përgjigjet me një lojë, me një karakter, me një personalitet, ashtu siç kemi zhvilluar edhe ndeshjet e kaluara. Kemi pasur dy-tre shqetësime të vogla, shqetësimi kryesor që dua ta përmend është se nuk ka udhëtuar me ne një nga lojtarët e ekipit, Hogan Ukpa, për arsye vize, nuk është pajisur me vizë, për mua është shumë e çuditshme, ndeshje europiane, ku ka zhvilluar 5 ndeshje deri më tani mos të pajiset me vizë, por këto janë problemet e burokracisë dhe e shoh të palogjikshme. Megjithatë neve jemi përgatitur për një lojë me një kundërshtarë që sigurisht do bëjë maksimumin, por unë kam besim shumë tek forca e skuadrës tone” – përfundoi Duro.

Për kapitenin Shabani, është kjo një ndër ndeshjet më të rëndësishme dhe se një arritje në fazën “play-off” është diçka që e ëndërron çdo futbollistë.

“Një ndeshje shumë e rëndësishme. Siç theksoi edhe profesori ynë, neve e kemi harruar ndeshjen e parë, jemi maksimalisht të përqëndruar te ndeshja e nesërme ku kemi të bëjmë me një kundërshtarë shumë cilësor. Si në çdo ndeshje neve futemi për të bërë maksimumin, pjesën taktike që na e jep profesori dhe shpresojmë që të vazhdojmë ecurinë e këtyre ndeshjeve që kemi bërë deri më tani, si në aspektin e vrapimit, si në aspektin taktik, dhe shpresoj që të bëjmë nëj paraqitje shumë të mirë dhe të vazhdojmë tutje.” – u shpreh fillimisht Bunjamin Shabani.  

“Nuk është gjë e vogël të shkosh në “play-off” në Ligën e Konferencës, për çdo futbollistë është diçka shumë e madhe dhe e rëndësishme. Shpresojmë që nesër këtë ndeshje ta mbyllim me sukses të shkojmë në “play-off”, e pse mos të bëjmë gjëra edhe më të mëdha” – deklaroi kapiteni i skuadrës tonë, që edhe nesër pritet të jetë startues dhe një nga bartësit e lojës te skuadra jonë.