Mexhit Neziri pa dyshim se është njeriu më i lumtur i momentit. Mbrojtësi ynë rezultoi të jetë deçiziv në fitoren e sotme ndaj Sileksit, me të cilën skuadra jonë arriti të shkruaj historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në një finale të Kupës së Maqedonisë.
Neziri realizoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën tonë, teksa i njëjti pranon se ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierën e tij.
“Jam i lumtur për golin e dhënë, më e rëndësishme është që ekipi u kualifikua në finale për herë të parë. Mendoj se me meritë u kualifikuam, pasi ishim dominues gjatë gjithë ndeshjes” – u shpreh fillimisht Neziri.
Goli më i rëndësishëm në karrierë….
“Pa dyshim se ky është goli më i rëndësishëm në karrierën time, edhe pse dihet se neve mbrojtësit nuk shënojmë edhe aq shpesh” – pranon Neziri.
Luajmë për të dyja frontet….
“Falënderojmë Zotin e madh që na ka shpërblye në çdo ndeshje, shpresojmë kështu të jetë deri në fund dhe të dalim fitues në të dyja frontet” – deklaroi Neziri, i cili po zhvillon sezonin e tij të parë me skuadrën tonë.