FITORJA NDAJ VOSKA SPORT NA NGRIT NË POZITËN E DYTË

Përballja e parë midis dy skuadrave buzë Liqenit në Ligën e Parë i zhvilluar në Ohër flet për Struga Trim Lum, skuadër kjo që shënoi fitore minimale 1:0 ndaj Voska Sport….

Struga Trim Lum ka dalë fituese e derbit të parë të Liqenit, duke mundur Voska Sport në Ohër me rezultatin minimal 1:0. Në një ndeshje jo edhe aq të bukur për sy, sidomos kjo vlen për pjesën e parë, golin e fitores që na siguroi 3 pikët e plota, e realizoi sulmuesi Marjan Radeski në minutën e 86-të.

Ky gol erdhi pas një presioni të skuadrës tonë në 10 minutat e fundit të takimit, e që dha rezultatin e duhur.

Ndryshe, pjesa e parë u zhvillua me një tempo shumë të ulët, me shumë gabime nga ana e të dyja skuadrave, me shumë taktizime, e ku si pasojë munguan edhe rastet e pastërta për gol.

Në këtë pjesë mund të veçojmë edhe 5 kartonët e verdhë, tre për skuadrën tonë dhe dy për ekipin vendas, por që ishin në suaza të së lejuarës.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime në rradhët e skuadrës tonë. Trajneri Shpëtim Duro, duke kërkuar një skuadër më kërkuese, vendosi që në lojë të inkuadrojë sulmuesin nga Burkina Faso, Campaore dhe Bekim Kamberin, autorin e golit të vetëm në fitoren 1:0 në fundjavë ndaj Rabotniçkit, ndërsa nga loja vendosi të largojë Hristijan Georgievskin dhe Edis Malqin e ndëshkuar.

Me këtë dyshe, ekipi kundërshtarë rrezikohej më shumë, teksa në minutën e 73-të shumë pak mungonte që Compaore të shënojë, mirëpo ishte i shkurtër në tentativën e tij për të reaguar para portës kundërshtare.

10 minuta më vonë Mexhit Neziri me një predhë të vërtetë nga rreth 30 metra vuri në mjaft vështirësi portierin vendas, Burhan Mustafa, i cili pati shumë fat menjëherë në aksionin e rradhës, kur sërish Neziri, këtë herë pas një harkimi në zonë nga rivënia e këndit të godas me kokë, mirpëo për vetëm disa centimetra skaj shtyllës.

Këto dy tentativa të Nezirit, ishin paralajmërim për atë që ndodhi në minutën e 86-të, kur edhe shënuam golin e fitores, që erdhi sërish pas një rivënie nga këndi. Ibraimi harkoi brenda zonës, aty ku Compaore në pamundësi për të goditur, bëri një asist për Radeskin, i cili me kokë shënoi golin e avantazhit, që në fund u tregua i mjaftueshëm për tre pikët e plota.

Me këtë fitore Struga Trim Lum tashmë renditet në pozitën e dytë me 15 pikë, vetëm një pikë më pak se Shkëndija, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më shumë.

NDESHJA E RRADHËS

Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë të dielën e 01 tetorit në Shkup, ku për kundërshtarë do të kemi ekipin e FC Shkupit, me të cilën skuadër aktualisht ndajmë pozitën e dytë.