Fitore me shumë peshë ndaj Tikveshit

Fitore 2:0 ndaj Tikveshit për të kaluar me sukses ndeshjen e parë finale, nga gjithsej 5 që numërojmë deri në mbyllje të kampionatit. Për më tepër kjo fitore fiton edhe më shumë në peshë, shkaku i barazimit të Shkëndijës në Tetovë përballë Sileksit, me ç’rast tashmë sërish kemi 5 pikë epërsi ndaj vendit të dytë dhe plotë 7 ndaj vendit të tretë, që mbahet nga FC Shkupi.

Ndryshe avansuam që në fazën e hershme me golin e realizuar nga Suhel Muharemi, që kishte edhe ndihmën e portierit mysfair, Davkov.

Ky gol që erdhi vetëm pas  5 minutave lojë, bëri që skuadra jonë të diktojë tempo më lirshëm në mesfushë, aty ku nuk i dhamë fare hapësirë kundërshtarit, që kanosjen e parë e pati vetëm në minutën e 19-të, kur mjaft mirë reagoi portieri ynë, Vedran Kjoshevski.

Në minutën e 34-të regjistruam një aksion shumë të rrjedhshëm nga ana e futbollistëve tanë, me Ibraimin, i cili nuk u tregua vetiak dhe vendosi të pasojë për Maliqin, mirëpo goditja e këtij të fundit përfundoi vetëm mbi portë.

Tentativën e fundit gjatë pjesës së parë e regjistrojmë fare në fund, me Ibraimin që tentoi të depërtoj deri tek goli kundërshtarë, mirëpo në momentet e fundit u pengua nga mbrojtja mysafire.

Njëjtë sikurse gjatë 45 minutëshit të parë, edhe në pjesën e dytë arritëm të shënojmë që në minutat e para, kur Bunjamin Shabani si një tren depërtoi në zonën kundërshtare, duke shënuar edhe golin e 8-të sezonal.

Ky gol u tregua edhe si i fundit në këtë takim, në të cilin sërish ishim dominues, ndërsa kjo na jep shpresa për të besuar fuqishëm tek titulli kampion, kur deri në mbyllje na kanë mbetur vetëm edhe 4 finale.

Finalen e rradhës e zhvillojmë kundër Bregallnicës në Shtip.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *