Fitore e thellë ndaj Pobedës, Ibraimi regjistron “tripletën” e parë me Struga Trim Lum

Struga Trim Lum ka regjistruar një ndër fitoret më të thella në kuadër të ndeshjeve kampionale, duke mundur Pobedën në ndeshjen e vlefshme të javës së 27-të. 6:2 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi, pavarësisht se miqtë nga Prilepi avansuan të parët me golin e Besnik Feratit në minutën e 19-të.

Menjëherë pas këtij goli skuadra krijoi dy raste të mira për barazim të rezultatit, mirëpo fillimisht goditjen me kokë të Marjan Radeskit, portieri mysafir e devijoi në rivënie nga këndi, nga e cila Besmir Bojku lëshoi mundësinë e artë për të shënuar golin e barazimit, kur fare pranë golit, dërgoi topin vetëm mbi portë.

Barazimi erdhi në minutën e 42-të, kur Besmir Bojku përmirësoi gabimin e mëparshëm dhe me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës, me të majtën e tij shënoi për 1:1.

Ky gol erdhi mu në momentin e duhur, pasi nuk vonoi shumë dhe tre minuta më pas, Marjan Radeski përfitoi një penalti në zonën kundërshtare, me ç’rast arbitri tregoi në pikën e bardhë, ndërsa ekzekutues i saktë doli të jetë Besart Ibraimi, që në ato momente shënoi për 2:1.

Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, ndërsa pjesa e dytë ishte shumë më efikase, kur janë në pyetje golat. Vetëm pas 5 minutave lojë në këtë pjesë, Suhel Muharemi shënoi golin e tretë në rrjetën e mysafirëve, të cilët u kundërpërgjigjën me anë të Kudijan në minutën e 66-të, duke zbutur epërsinë e skuadrës tonë në 3:2.

Megjithatë këtu ishte edhe fundi i forcave të skuadrës së Pobedës, që deri në mbyllje të takimit pranoi edhe 3 gola të tjerë, kjo falë lojës së shkëlqyeshme të futbollistëve tanë.

Bunjamin Shabani në minutën e 68-të mjaft mirë pranoi një top nga Ibraimi në zonën kundërshtare, ndërsa goditja e tij e fuqishme përfundoi pas shpinës së portierit mysafir, Kotevski.

Ky i fundit deri në fund të takimit kapituloi edhe dy herë të tjera para Besart Ibraimit, i cili në këtë mënyrë regjistroi “trippletën” e parë me fanellën e Struga Trim Lum.

Pas 27 xhirove, Struga Trim Lum numëron 53 pikë, 6 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë. Xhiron e ardhshme skuadra jonë do të jetë e lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *