Bojku: Tre pikët duhet të ngelin në Strugë

E diela na e servon ndeshjen kundër rivalit buzë liqenit, Voska Sport. Ky takim i takon javës së 15-të në elitën e futbollit vendor, aty ku sërish synojmë pozitën e parë. Aktualisht ndodhemi në pozitën e tretë, me vetëm një pikë më pak se dy skuadrat krsyesuese, ashtu që fitorja përballë Voska Sport do na mbante në garë drejt synimit tonë kryesor.

Ndeshjet e fundit me Voska Sport kanë qenë shumë të luftuara dhe me pak gola të shënuar, ndërsa në prag të takimit të tretë të këtij edicioni, të dytin në kampionat, nga tabori i skuadrës tonë ka folur mesfushori, Besmir Bojku.

“Përballemi kundër një ekipi mjaft serioz, siç është Voska Sport, mirëpo jemi në një fazë të kampionatit që çdo pikë është e vlefshme dhe mendoj se tre pikët duhet të ngelin në Strugë.” – u shpreh Besmir Bojku, i cili rikthehet pas dy ndeshjeve mungesë ndaj Shkëndijës dhe AP Brera.

Bojku këtë edicion me skuadrën tonë ka regjistruar 10 paraqitje, duke realizuar edhe 1 gol, ndërsa i njëjti do të luaj për herë të parë ndaj Voska Sport në një ndeshje zyrtare, kjo pasi kishte munguar si në ndeshjen kampionale, ashtu edhe ne atë në kuadër të Kupës.