Stinorin pranveror e nisëm me barazim në transfertën në Kavadar ndaj Tikveshit. Pas një lufte të vërtetë në fushë për gjatë 90-të minutave, në fund rezultati ishte 1:1, me Tikveshin që avansoi kah fundi i pjesës së parë me golin e Aleksandar Mishov, derisa barazimin e siguruam falë eurogolit të shënuar nga Valentin Koçoski në minutën e 88-të.
Pas këtij takimi opinionin e tij dha edhe trajneri Srgjan Zaharievski, që është i mendimit se barazimi është epilogu më real.
“Së pari urime për të gjithë aktorët e ndeshjes, që për mendimin tim ishte mbi mesataren e futbollit tonë. Fillimisht dua ti uroj ekipet në aspektin e luftës në fushë, aksioneve, rasteve dhe mbi të gjitha golave të bukur, e ku vlen të theksohet ai i lojtarit tonë, Valentin Koçoski. Mund të them që patëm më shumë nga loja dhe krijuam raste, por kur në fund bëjmë një përmbledhje mendoj se barazimi është epilogu real, duke pasur parasysh se gjatë pjesës së parë ishim në disavantazh” – u shpreh trajneri Srgjan Zaharievski.