E hëna na sjell ndeshjen e javës së 8-të kundër KF Arsimit. Me fitore eventuale do të mbanin hapin me ekipin në kreun e tabelës, e mbi të gjitha në pushimin gati tre javor do të shkonim shumë më të qetë…
KF Arsimi është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat, aty ku shpresojmë të mbajmë hapin me Shkëndijën në vetë kreun e tabelës së klasifikimit. Ndeshja ndaj skuadrës nga Çegrani do të jetë e para e këtij sezoni dhe gjithsej e katërta në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Parë.
Dy fitore për ne dhe një për KF Arsimin, është epiliogu i deritanishëm. Në të dyja ndeshjet që kemi fituar, ndër autorët e golave ishte edhe Marjan Radeski, që ka folur në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm, ku neve si skuadër dëshirojmë të vazhdojmë serinë e fitoreve në Strugë.

“Fillimisht dua të them se e respektojmë KF Arsimin, mirëpo Struga Trim Lum ka qëllimet e saja të qarta, dhe ato janë që tre pikët e plota të mbeten në Strugë. Megjithatë për të arritur një gjë të tillë, duhet që neve si skuadër të japim edhe më shumë se maksimumi që të vijmë te rezultati i dëshiruar. Në futbollin modern tashmë e dimë të gjithë se nuk ka më kundërshtarë të lehtë, ashtu që duhet të jemi në nivelin e duhur, ashtu siç dimë neve, për të vijuar me serinë e fitoreve në terren vendas.” – u shpreh fillimisht sulmuesi ynë Marjan Radeski, i cili sot kundër KF Arsimit do të kërkoj golin e tij të 30-të jubilar me fanellën “bardhekuq” në ndeshjet e Ligës së Parë.
“Unë si sulmues gjithnjë e kërkoj atë gol në rrjetën kundërshtare, megjithatë paraprakisht në plan të parë e vendos veten si futbollistë ekipor, pasi vetëm në atë mënyrë mund të kontribuojmë më shumë për skuadrën. Nëse gjithësecili prej nesh vihet në shërbim të skuadrës, atëherë si skuadër shumë më lehtë mund të shënojmë gola.” – deklaroi Radeski, që nuk fsheh dëshirën për të arritur atë shifër jubilare të golave: “Gjithsesi se do të doja që pikërisht sot kundër Arsimit të shënoja atë gol jubilar, megjithatë prap do e përsëris, për mua dhe skuadrën më e rëndësishme është që 3 pikët të mbeten në Strugë dhe në pushimin për shkak ndeshjeve të përfaqësueses tonë, të shkojmë me koka të qeta dhe pa shumë ngarkesë”.
Marjan Radeski sot kundër KF Arsimit pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 115-të kampionale me fanellën e Struga Trim Lum, për të cilën skuadër gjithsej ka zhvilluar 131 ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjet ndërkombëtare, por edhe atë të Kupës së Maqedonisë.


















