Fitore e pastërt 3:0 ndaj një kundërshtari shumë të papërshtatshëm si Bregallnica, për më tepër në transfertën në Shtip, është një tregues i mirë se skuadra po ecën në rrugën e duhur dhe se është shumë më e pjekur për të bërë atë hapin final drejt realizimit të objektivit.
Fitorja e së dielës ka kënaqur edhe vetë trajnerin Shpëtim Duro, për më tepër që golat po vijnë nga futbollistë të ndryshëm.
Së fundmi shënoi edhe Radeski, duke thyer akullin, ndoshta mu në momentin e duhur.
“Sigurisht ka qenë një ndeshje shumë e mirë në të gjitha aspektet, si në aspektin mbrojtës të skuadrës, por njëkohësisht edhe sulmues. E qartë që dominuam dhe atë dominim në fund e konvertuam me shënimin e 3 golave. Në përgjithësi, të gjitha ndeshjet janë foto kopje me njëra tjetrën, kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, kemi shënuar shumë gola, dhe në anën tjetër kemi pësuar pak gola. Golat janë shpërndarë nga gjithë futbollistët e vijës sulmuese, në veçanti më i dalluari është shënuesi më i mirë, Besart Ibraimi, por kanë shënuar të gjithë, si Muharemi, Maleski sot, mesfushorët sulmues janë Shabani dhe Bojku, ndërsa sot për herë të parë shënoi edhe Radeski. Është diçka pozitive për një sulmues, por edhe për ne si skuadër” – është shprehur trajneri Shpëtim Duro, i cili sot saktë dy muaj po qëndron në krye të skuadrës tonë, duke udhëhequr skuadrën në gjithsej 10 ndeshje, përfshirë këtu edhe miqësoren ndaj Karaormanit, por edhe atë gjysmëfinale të Kupës kundër Sileksit.
Ndryshe në 8 ndeshjet kampionale, Struga Trim Lum me Duron si kryetrajner ka regjistruar 6 fitore dhe 2 barazime, me një gol-averazh 18:5.