E mërkura është e rezervuar për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës kundër Sileksit. Gara më masovike në vend ka mbëritur në aktin e parafundit, ndërsa neve si skuadër kërkojmë të shkruajmë histori në këtë kompeticion, duke prekur finalen e madhe.
Edhe këtë vit do të luhet vetëm një ndeshje, derisa shorti vendosi që këtë ndeshje gjysmëfinale ndaj skuadrës nga Kratova ta zhvillojmë në Strugë.
Kujtojmë, po në Strugë falë edhe përkrahjes së tifozëve tanë në çerekfinale eliminuam Bregallnicën (2:0), por edhe Rabotniçkin në 1/8 e finales, derisa këtë rrugëtim tonin të gjatë e kishim nisur me fitoren në transfertë ndaj Vardar Negotinës me 14 shtator të vitit të kaluar.
“Patjetër, është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse jemi në gjysmëfinale dhe vetëm me një ndeshje mund të shkojmë në finale, që njëherit është edhe objektivi i skuadrës, edhe pse siç dihet, neve jemi në garë edhe për titullin e kampionit. Është një ndeshje e denjtë, sepse përderisa jemi në gjysmëfinale, atëherë lirisht mund të thuhet se që të dyja skuadrat janë shumë të forta” – tha trajneri Shpëtim Duro.
Terreni vendas përparësi…..
“Nuk besoj që ka shumë favore, megjithatë unë konsideroj se ndeshjet e këtilla janë si brenda dhe jashtë”.
Ndeshje të këtilla keni zhvilluar shumë gjatë karrierës…...
“Në karrierën time kam zhvilluar jashtëzakonisht shumë ndeshje të rëndësishme dhe të vështira në një stadium të mbushur me 20 mijë veta. Patjetër edhe kjo është ndeshje e rëndësishme, por neve jemi përgatitur për këtë ndeshje me mjaft qetësi, pasi edhe vetë klubi është i ndërtuar me njerëz të qetë dhe shumë profesional” – përfundoi deklaratën e tij, strategu nga Shqipëria, i cili ka shansin që në CV-në e tij të shtoj edhe trofeun e Kupës së Maqedonisë.