RAPORTI NGA NDESHJA FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM

Pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, ndalemi në udhëtim te nënkampionët e FC Shkupit….

Disfata e parë pas katër fitoreve të njëpasnjëshme dhe e dyta këtë edicion për skuadrën e Struga Trim Lum, që sot u mund në udhëtim nga FC Shkupi. 2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në stadiumin e Çairit në Shkup, aty ku hasëm në një atmosferë shumë korrekte, sidomos nga grupi i tifozëve “Shvercerat”, që bënë një super anim për gjatë 90 minutave për skuadrën e tyre.

Ndryshe ndeshja nisi me taktizime dhe me matjen e forcave, teksa rastin e parë më serioz e kishte sulmuesi ynë Marjan Radeski në minutën e 19-të, kur mjaft mirë pranoi një top brenda zonës kundërshtare nga ana e Bunjamin Shabanit, mirëpo falë intervenimit bravuroz të Artan Iljazit, rezultati mbeti i pandryshuar.

Ashtu ndodhi edhe pas tentativës së Vangjel Zguros në minutën e 21-të, kur goditja e tij nga gjuajtja e lirë nga muri i gjallë u devijua në rivënie nga këndi.

Minutat në vijim të pjesës së parë  nuk sollën raste konkrete para portave repsektive, ashtu që në pushim rrjetat pushuan.

Pjesa e dytë doli të jetë më agresive, me FC Shkupin që vetëm pas 8 minutave lojë arriti që të na ndëshkojë me anë të brazilianit Kueven.

Nuk vonoi shumë dhe 10 minuta më pas, një pakujdesi e Hristijan Georgievskit brenda zonës bëri që FC Shkupi të përfitojë një penalti. Përveç penaltisë në ato momente humbëm edhe lojtarin tonë mesfushor, i cili u ndëshkua me karton të kuq, duke bërë që sërish të kemi inferioritet numerik.

Fati mirë ishte që goditjen e Trapanovskit në minutën e 63-të e priti portieri Vedran Qoshevski, duke bërë që neve të shpresojmë për një rezultat pozitiv edhe më tej në këtë takim, ku fituesi u vendos vetëm në minutën e fundit të takimit, kur Vosha përmes një kundërsulmi arriti të shënojë edhe golin e dytë në rrjetën e Qoshevskit.

Ishte kjo disfata e dytë për Struga Trim Lum këtë edicion, dhe e para në ndeshjet si mysafir, pas asaj në Strugë kundër AP Brera.

Pas 9 xhirove, ku neve si skuadër numërojmë vetëm 7 ndeshje, me 15 pikë renditemi në pozitën e 4-të. Në mesjavë na pret edhe një ndeshje tjetër derbi, ajo kundër Shkëndijës në Tetovë, derisa në fundjavë do të përballemi me Sileksin në Strugë.