PREVIEW | LPFMV-JAVA 28,  STRUGA TRIM LUM – GOSTIVARI

Struga Trim Lum sot do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit të sezonit aktual kundër Gostivarit. Me këtë skuadër këtë edicion luajtëm edhe në çerekfinale të Kupës…

www.fcstruga.com

Kampionati po sheh me sy ka fundi, ndërsa me këtë vijnë edhe ndeshjet më të forta, që vendosin edhe fatin e skuadrave. Një ndër ata ndeshje, pa dyshim është edhe ajo e sotmja kundër Gostivarit, një nga rivalët tanë direkt në udhëtimin drejt garave europiane.

Ndaj dhe pikët e fituara në ndeshje të këtilla, pa dyshim se kanë peshë të dyfishtë.

Ne ndaj Gostivarit, sot do të kërkojmë fitoren e parë të këtij edicioni, pas atij barazimi 2:2 këtu në Strugë dhe disfatës aspak të merituar në Shkup, kur u mposhtëm 1:0, me një gol të shënuar nga pika e bardhë në minutën e 96-të.

KUNDËRSHTARI

Gostivari është një skuadër shumë e papërshtatshme. Ata deri dje ishin në garë të ngushtë edhe për pozitën e parë, mirëpo disa turbulenca dhe largimi i disa prej futbollistëve titullarë, bënë që kjo skuadër të ketë një krizë rezultatesh. Pikët e humbura në duelet me skuadrat që luftojnë për mbijetesë, i kushtuan shumë kësaj skuadre, që megjithatë në ndeshjen e fundit tregoi shenja pozitive, duke mundur FC Shkupin me shifrat 3:1.

Aktualisht Gostivari ndodhet në pozitën e katërt me 45 pikë, ashtu që një fitore eventuale e jona në takimin e sotëm do të bënte që neve t’ua rrëmbenim të njëjtën dhe ti zbrisnim një pozitë më poshtë.

NDESHJET E DERITANISHME

Takimi i sotëm do të jetë i 6-ti mes nesh në kuadër të Ligës së Parë, aty ku të dyja skuadrat kemi nga dy fitore, ndërsa një ndeshje është mbyllur me barazim. Ishte pikërisht ndeshja e parë e këtij sezoni, që u mbyll me shifrat 2:2 këtu në Strugë, derisa vlen të theksohet se po para tifozëve tanë këtë edicion mundëm Gostivarin në ndeshjen e vetme çerekfinale të Kupës.

Në atë ndeshje vendosi goli i shënuar nga Lanre Kehinde.

GOLAT NDAJ GOSTIVARIT

Kur jemi tek golat e shënuar, gjithsej 7, nëse llogarisim edhe atë të ndeshjes çerekfinale të Kupës, Lanre Kehinde dhe Marjan Radeski, janë futbollistët që kanë shnëuar nga dy gola kundër këtij kundërshtari, teksa nga një gol tjetër kanë shtuar edhe dy sulmuesit tjerë, Senad Jaroviç dhe Basirou Compaore. Një gol tjetër, ishte dhuratë nga mbrojtësi Hamziq, që në ndeshjen e fundit kampionale këtu në Strugë, kishte realizuar autogol.

🎙 | DEKLARATAT E FUTBOLLISTËVE

Në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm të javës së 28-të kundër Gostivarit, nga tabori ynë kanë folur mbrojtësi i krahut të djathtë, Nikolla Vlajkoviç dhe Hogan Ukpa.

Të shohim se çfarë thanë ata:

NIKOLLA VLAJKOVIÇ:

Na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe aspak e lehtë kundër skuadrës së Gostivarit, që janë në ngritje të formës. Posedojnë futbollistë të mirë, megjithatë neve duhet të shohim para dhe të respektojmë urdhërat e trajnerit. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer, jemi në formë të mirë, ashtu që pres të vazhdojmë serinë e fitoreve. Shpresoj të jetë kjo një ndeshje kualitative dhe se do të arrijmë deri tek fitorja, kuptohet nëse do të jemi maksimalisht të fokusuar për gjatë 90-të minutave lojë, ashtu siç ishim edhe në ndeshjet paraprake. Shfrytëzojë rastin të ftoj edhe tifozët tanë, që të jenë në numër sa më të madh, për të na dhënë krah ashtu siç ata dinë.”

HOGAN UKPA:

“Me të vërtetë do të doja të luaja edhe unë, mirëpo arbitri në ndeshjen e fundit më ndëshkoi me një kartonë të  verdhë për një penalti të pastër në favorin tonë, kështu që unë tani kam 5 kartonë të verdhë dhe nuk mund të luaj këtë fundjavë. Unë besoj se ky është momenti perfekt, pasi nëse duam të ngjitemi më lartë në tabelën e klasifikimit, atëherë duhet ti rrëmbejmë 3 pikët e plota tani, dhe më pas të flasim për pjesën tjetër.”

MUNGESAT

Mungesa e vetme dhe shumë e rëndësishme për ndeshjen e sotme kundër Gostivarit, do të jetë mesfushori Hogan Ukpa. Nigeriani u ndëshkua me kartonë të verdhë përballë Rabotniçkit në ndeshjen e fundit në Shkup, që njëherit ishte i 5-ti këtë edicion, duke mbushur normën e kartonëve.

Mungesa e tij me siguri se nuk është një lajm i mirë për trajnerin Ilço Gjorgjioski, duke pasur parasysh formën momentale të Ukpa, i cili shënoi dy gola shumë të rëndësishëm në dy ndeshjet e fundit, kundër Shkëndijës dhe Rabotniçkit.

Goli i tij kundër “romantikëve” në Shkup, na siguroi tre pikët e mëdha ndaj një prej rivalëve kryesor në garën për një vend në garat europiane, ndërsa goli i tij ndaj Shkëndijës në Tetovë, paralajmëroi fitoren 2:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës.

FAKTE DHE STATSTIKA

  • Lanre Kehinde është futbollisti që ka shënuar në dy ndeshjet e fundit kundër Gostivarit këtu në Strugë.
  • Kehinde aktualisht është golashënuesi ynë më i mirë në kampionat me 11 gola të shënuar, derisa te Gostivari, si golashënues më i mirë rezulton të jetë Marko Simonovski me 6 gola të shënuar. Ky i fundit më nuk është pjesë e skuadrës nga Pollogu.
  • Struga Trim Lum dhe Gostivari ndodh që për herë të parë sot të takohen në një ndeshje zyrtare gjatë muajit prill.
  • Furkan Idrizi, i emëruar si arbitër kryesor i takimit të sotëm kundër Gostivarit, do të na referojë për herë të parë në një ndeshje zyrtare

ZYRTARËT E NDESHJES

Arbitri nga Tetova, Furkan Idrizi, është caktuar për të ndarë drejtësinë në ndeshjen e sotme kundër Gostivarit. Atij do ti ndihmojnë dy bashkëqytetarët e tij, Imran Abazi dhe Idriz Idrizi, derisa arbitër i katërt do të jetë Darko Stojçevski nga Shkupi.

Është kjo hera e parë që Furkan Idrizi do të na referojë në një ndeshje zyrtare, edhe pse i njëjti në Ligën e Parë, referon që nga sezoni 2020/21.

Ndryshe, do të jetë kjo ndeshja e tij e 8-të që do ta drejtojë këtë edicion në Ligën e Parë dhe gjithsej e 23-ta, ku deri më tani në 22 ndeshje ka treguar plotë 120 kartonë të verdhë, apo nga 5.45 kartonë për ndeshje.

Më së shumti ndeshje, Furkan Idrizi, i ka referuar Bregallnicës së Shtipit (7), derisa Gostivarit në vetëm një ndeshje. Ishte ajo ndeshja e 20 gushtit të vitit 2023, pikërisht ndaj Bregallnicës në Shtip, kur Gostivari kishte pësuar disfatë me rezultatin 2:1.

Arbitër kryesor: Furkan IDRIZI

Ndihmës i parë: Imran ABAZI

Ndihmës i dytë: Idriz IDRIZI

Arbitër i katërt: Darko STOJÇEVSKI

Delegatë: Vasko BOSHEVSKI

Kontrollues: Zoranço ILIEVSKI

NDESHJA

Ndeshja, Struga Trim Lum – Gostivari, e vlefshme për javën e 28-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 16:00. Edhe në këtë ndeshje, të gjitha mjetet e tubuara nga shitja e biletave do të shkojnë për Organizatën humanitare, “Bamirësit Struganë”, ashtu që kontributi juaj do të zë vendin e duhur, duke ndihmuar gjithë ata që kanë nevojë.

Ndryshe, ndeshjen Struga Trim Lum – Gostivari, kjo vlen për gjithë ata mërgimtarë tanë dhe atyre që në kohën e ndeshjes nuk do të jenë në Strugë, do të mund ta ndiqni edhe përmes kanalit zyrtarë të FFM-së në youtube.