PREVIEW | FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM

E diela në elitën e futbollit vendor është e rezervuar për super derbin FC Shkupi-Struga Trim Lum. Është ky dueli i parë i këtij sezoni mes dy skuadrave më të mira të edicionit të kaluar, me Struga Trim Lum që në Çair do të zbret si kampion…

Vetëm pak orë na ndajnë nga klasikja e Ligës së Parë, FC Shkupi – Struga Trim Lum, ndeshje kjo që i takon javës së 9-të.

Do të jetë ky takimi i 13-të mes dy skuadrave në divizionin më të lartë të Maqedonisë së Veriut.

Që të dyja skuadrat aktualisht ndajnë pozitën e dytë me nga 15 pikë, me Struga Trim Lum që ka edhe dy ndeshje më pak se skuadra shkupjane.

Interesant është fakti se të dyja skuadrat në këtë ndeshje futen pas fitoreve ndaj skuadrës së njëjtë, Voska Sport.

FC Shkupi e mundi këtë skuadër të dielën e kaluar, ndërsa Struga Trim Lum në mesjavë, kur edhe zhvilluam ndeshjen e mbetur të javës së katërt.

PËRBALLJA E FUNDIT DOLI TË JETË HISTORIKE PËR NE

Nga mesi i majit deri në fund të shtatorit, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum do të përballen edhe njëherë kundër njëri tjetrit. Te Struga Trim Lum nuk është se ka shumë ndryshime, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet për FC Shkupin, skuadër kjo që në këtë ndeshje do të futet para së gjithash me trajner të ri, me një sulm krejtësisht të ri, por edhe futbollistë tjerë të rinj, që erdhën gjatë afatit kalimtarë të verës.

Ndeshja e fundit mes nesh, ajo e 14 majit doli të jetë historike për ne si skuadër, pasi atë ditë edhe zyrtarisht festuam titullin e parë kampion.

Pavarësisht disavantazhit që kishim në atë ndeshje gjatë pjesës së parë, në të dytën falë dyshes sulmuese, Besart Ibraimi – Marjan Radeski, rikthyem rezultatin dhe në fund me fitore mbyllëm sezonin më të suksesshëm në histori.

Pikërisht dyshja Ibraimi-Radeski folën dje për këtë takim derbi. Që të dy kanë respekt për FC Shkupin, mirëpo dëshira e tyre është që neve të dalim fitues në fund, pavarësisht se kush do të shënonte.

“Është një derbi, një ndeshje ku besoj se do të vendosin detaje të vogla. E respektojmë Shkupin, mirëpo gjithsesi se në këtë ndeshje shkojmë për të nxjerrë një rezultat pozitiv” – u shpreh Besart Ibraimi.  

“Para së gjithash respekt për ekipin e FC Shkupit. Vërtetë kanë një skuadër shumë të mirë dhe kjo paralajmëron një ndeshje shumë të papërshtatshme. Secili prej nesh duhet të jap 200% nga vetja për të besuar te rezultati pozitiv. Jemi përgatitur shumë mirë dhe normalisht që shkojmë për tre pikët e plota.” – u shpreh në anën tjetër Marjan Radeski.

FC Shkupi dhe Struga Trim Lum sërish në mejdan, mirëpo këtë herë në një sezon të ri, krejtësisht ndryshe nga ai i edicionit të kaluar, kur fitorja e jonë 2:1 vetëm se e konfirmoi titullin kampion dhe vendin e parë.

Të njëjtin mund ta kapim sërish, gjithnjë nëse do dilnim fitues sot në ndeshjen që do të zhvillohet në Çair, por gjithashtu nëse në duelin mes skuadrave nga Pollogu, Gostivarit dhe Shkëndijës, të paktën “kuqezinjtë” mos të dilnin fitues.

FC SHKUPI PO PRANON SHUMË DHE NUK PO BËNË MJAFT NË SULM

FC Shkupi nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon, duke pësuar nga Rabotniçki. Megjithatë dy fitoret e njëpanjëshme në kampionat, kundër AP Brera dhe së fundmi kundër Voska Sport në transfertë, kanë rikthyer skuadrën nga Çairi në jetë, që ende nuk po arrin atë nivel të shkëlqimit, qoftë teknik, apo edhe taktik.

Mjafton të thuhet se FC Shkupi është skuadra me më shumë gola të pranuar nga TOP4 skuadrat e para, dhe e kupton se jo gjithçka është në rregull me këtë skuadër.

FAKTE DHE STATISTIKA

Pak kohë për t’u rikuperuar pas ndeshjes në mesjavë ndaj Voska Sport (e mërkurë)  dhe për tu përgatitur për ndeshjen e sotme derbi kundër FC Shkupit.

FC Struga Trim Lum po shijon një periudhë shumë të mirë, pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, që bënë që skuadra jonë të ngjitet në pozitën e dytë me 15 pikë, po aq sa ka edhe kundërshtari ynë i sotëm.

FC Shkupi për dallim nga Struga Trim Lum, ka lidhur tre fitore rradhazi, mirëpo duke përfshirë këtu edhe fitoren në kuadër të 1/8 së finales së Kupës kundër BVK Konjare nga liga e tretë Veri.

Vërtetë është e vështirë të thuash një favorit të vërtetë në ndeshje të mëdha si kjo, për faktin se nga gjithsej 12 ndeshje që kemi zhvilluar bashkë, kemi një epilog prej 5 fitoreve, 4 disfatave dhe 3 barazimeve, me një gol-averazh 16:15 në favor të kundërshtarit.

Dy ndeshjet e fundit jemi neve skuadra që fitojmë, edhe atë me rezultat identik 2:1. Ndërkohë sa u përket dy ndeshjeve të fundit si mysafir, në të dyja kemi pësuar disfata, edhe atë duke mos arritur të shënojmë gol.

Fitoren e fundit si mysafir ndaj FC Shkupit, e kemi regjistruar me 16 dhjetor të vitit 2020.  

LAJMET E FUNDIT NGA STRUGA

Lajm i rëndësishëm për skuadrën tonë është rikthimi i Besmir Bojkut, i cili na mungoi në dy ndeshjet paraprake për shkak kartonit të kuq në ndeshjen kundër Bregallnicës. Rikthimi i tij në mesfushë, don të thotë se njëri mes futbollistëve si Hristijan Georgievski, Hogan Ukpa dhe Bekim Kamberi, duhet të mbesin në bankinë.

Për dallim nga mesfusha dhe sulmi, ku mund të ketë ndonjë rotacion, një është e sigurtë, mbrojtja nuk ndryshon dhe e njëjta pritet të nis me treshen e zakonshme, Mexhit Neziri, Sava Radiç dhe Besart Krivanjeva.

Ky i fundit në një prononcim për mediat në vend, tha se ndeshjen e sotme në Çair mund ta vendosnin nuanca.

“Ndeshje derbi, ndeshje në të cilën mund të vendosin nuanca duke pasur parasysh kualitetin e të dyja skuadrave. Edhe ne, edhe FC Shkupi jemi në një seri të mirë të rezultateve, kemi pikë të barabarta për momentin, edhe pse ata kanë dy ndeshje më shumë se ne. Shpresoj të luajmë lojën tonë të zakonshme, e di që do ta kemi të vështirë, megjithatë besoj shumë te skuadra dhe se mund të dalim të pamposhtur nga një prej terreneve më të vështira në vend”.

FC SHKUPI, SKUADRA E PREFERUAR E BESART IBRAIMIT

FC Shkupi është skuadra më e preferuar e Besart Ibraimit, kur janë në pyetje golat e shënuar ndaj kësaj skuadre. Ibraimi përballë FC Shkupit ka zhvilluar gjithsej 21 ndeshje, duke realizuar plotë 17 gola, dy prej të cilëve me fanellën e Struga Trim Lum. Pjesën tjetër të golave (15) ndaj skuadrës nga Çairi, Besart Ibraimi i ka shënuar me petkun e Shkëndijës.

ME GRUJOSKIN ARBITËR, IBRAIMI ÇDOHERË FITON

Një fakt tjetër interesant, që ka të bëjë me sulmuesin tonë, Besart Ibraimi, është se i njëjti në ndeshjet kur arbitër ka qenë Aleksandar Grujoski, nuk ka humbur asnjë ndeshje.

Deri më tani ka ndodhur që 9 ndeshje Grujoski të ketë referuar ndaj Besart Ibraimit, i cili ka dalë fitues në 8 ndeshje, ndërsa një ndeshje kishte përfunduar me barazim.

Gëzon fakti se prej atyre 8 fitoreve, 4 prej tyre Ibraimi i ka regjistruar pikërisht me fanellën e skuadrës tonë.

ZYRTARËT E TAKIMIT

Aleksandar Grujoski do të jetë njeriu kryesor për ndeshjen e sotme. Ai është emëruar për dy ndeshje në LPFMV deri më tani këtë sezon, edhe atë në të dyja i kishte referuar FC Shkupit, duke treguar gjithsej 15 kartonë të verdhë.

Grujoski kishte referuar derbin në Tetovë midis Shkëndijës dhe FC Shkupit, kur kishte treguar gjithsej 10 kartonë të verdhë, ndërsa gjithashtu skuadrës vendase në takimin e sotëm, i kishte referuar edhe me 16 shtator kundër AP Brera këtu në Çair. Në atë ndeshje FC Shkupi kishte regjistruar fitore minimale 1:0, teksa Grujoski kishte treguar 5 kartonë të verdhë, edhe atë 4 për futbollistët e FC Shkupit dhe vetëm një për ata të AP Brera.

Arbitër kryesor: Aleksandar GRUJOSKI (Kërçovë)

Asistent i parë: Kushtrim LIKA (Kërçovë)

Asistent i dytë: Davor CVETANOSKI (Kërçovë)

Arbitër  i katërt: Ivana PROJKOVSKA (Shkup)

Delegat i takimit: Goce CVETANOSKI (Demir Hisar)

Kontrollor i takimit: Haxhipazi ALILARXHAN (Gostivar)

NDESHJA

Ndeshja midis FC Shkupit dhe FC Struga Trim Lum do të zhvillohet në stadiumin e Çairit, që ka një kapacitet prej rreth 5000 ulëseve, ndërsa e njëjta do të startojë në ora 14:00. Ndeshja e sotme mes këtyre dy skuadrave do të jetë gjithsej e 5-ta, që FC Shkupi do ta zhvillojë në rolin e nikoqirit ndaj skuadrës tonë.