PRAG NDESHJA | STRUGA TRIM LUM – AP BRERA STRUMICA

Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro sot do ti rikthehet kampionatit, aty ku do të kërkojmë fitoren e dytë në kampionat, pasi e nisëm mbarë kundër Gostivarit. Ndeshja e sotme është ajo kundër AP Brera Strumica, që starton në ora 17:00, ndërsa informojmë gjithë tifozët se hyrja do të jetë falas….

________________________________________________________________________________________________________________

Rikthehemi të luajmë në kampionat, aty ku sot na pret përballja e xhiros së tretë kundër AP Brera Strumica. Pavarësisht kërkesës për ta shtyrë këtë takim në prag të ndeshjes më të rëndësishme europiane, atë të së enjtes kundër islandezëve të Breidablik, nuk hasëm në një përgjigje pozitive nga kundërshtari i sotëm, ashtu që shpresojmë të kemi përkrahjen e juaj në stadium.

Do të jetë kjo ndeshja e dytë për neve këtë edicion që do ta zhvillojmë para tifozëve tanë, pas asaj ndaj Gostivarit kur kishim shënuar fitore 2:0. Njëjtë sikurse në atë ndeshje, edhe sot hyrja në stadium për tifozët do të jetë e lirë.

Kundërshtari ynë i sotëm në Strugë vjen pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, mirëpo neve jemi kampion dhe si të tillë duhet të zbresim në fushë, pavarësisht lodhjes së lojtarëve nga ndeshjet e zhvilluara europiane, por edhe udhëtimet e largëta që kemi pasur.

“Për një muaj kemi zhvilluar 7 ndeshje. Është një ngarkesë e jashtëzakonshme. Kërkuam që kjo ndeshje të shtyhet, mirëpo nuk hasëm në përgjigje pozitive. Përveç ndeshjeve që kemi pasur, edhe atë që të gjitha të forta, këtu duhet përmendur edhe udhëtimet e gjata që kemi pasur, që sigurisht që ndikojnë në lodhjen e lojtarëve. Ashtu që sot patjetër se do të bëjë ndryshime të shumta në formacion” – shprehet trajneri Shpëtim Duro.

NDESHJET NDAJ AP BRERA

Deri më tani kundër AP Brera Strumica kemi zhvillluar 11 ndeshje. 3 fitore për ne, 3 për kundërshtarin, derisa 5 ndeshje janë mbyllur me barazim. Në vitin 2019 si debutues në Ligën e Parë e kishim nisur me dy barazime ndaj tyre, derisa edicionin e kaluar, kur edhe u shpallëm kampion, ishim tepër të fortë për AP Brera Strumica, duke e mundur këtë skuadër në të trija ndeshjet me një gol-averazh 7:1.

PEZULLIME APO LOJTAR TË DËMTUAR

Dyshja mbrojtëse, Sava Radiç dhe Mexhit Neziri mund të jenë mungesat te skuadra jonë në takimin e sotëm. Radiç ankohet në një lëndim të vogël, derisa Neziri është me virozë, kështu që për paraqitjen e tyre do të vendoset vetëm pak para ndeshjes, kuptohet pas konsultave që trajneri dhe lojtarët e lartëpërmendeur do ti kenë me stafin mjekësor të ekipit tonë.

KUNDËRSHTARI: AP Brera Strumica

AP Brera Strumica bëri një start të mirë të sezonit të ri, kjo edhe për faktin se të dyja ndeshjet e para i zhvilloi në terren vendas. Në xhiron e parë ata mundën Vardarin me rezultatin 1:0, derisa në kuadër të xhiros së dytë me shifrat 2:0 mundën Voska Sport. Dy fitore ndaj dy skuadrave të  inkuadruara këtë edicion në Ligën e Parë, janë një paralajmërim për ne si skuadër që duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos nga futbollistët e tyre të krahut Jankullov dhe Krstevski.

NDESHJA

LPFMV | Java 3

STRUGA TRIM LUM – AP BRERA STRUMICA

Stadiumi i qytetit – Strugë

E hënë (SOT), ora 17:00