Prag ndeshja me Vardarin | Maleski: Ndeshje derbi, le të fitojë më i miri

Të premtën në Strugë do të mirëpresin liderin aktual, Vardarin. Dy ndeshjet e këtij sezoni u mbyllën me barazime…

Të premtën kundër Vardarit do të zhvillojmë ndeshjen e fundit të këtij sezoni si vendas, ashtu që presim që e nesërmja të jetë një dite feste në qytetin tonë të bukur të Strugës.

Do të jetë kjo ndeshja e tretë e këtij sezoni dhe njëherit e fundit ndaj këtij kundërshtari. Dy ndeshjet e para u mbyllën me barazime. Fillimisht në Shkup barazuam me shifrat 2:2, ndërkohë ndeshja e fundit në Strugë ishte mbyllur me shifrat 1:1.

Autorë i atij goli të fundit ishte Hristijan Maleski, që njëherit është i përzgjedhuri ynë që ka folur edhe për ndeshjen e nesërme.

“Shpresoj të jetë një ndeshje e mirë dhe interesante, ashtu siç i ka hije një ndeshjeje derbi, ndërsa në fund le të fitoj më i miri. Besoj se jemi përgatitur mirë gjatë gjithë javës, ashtu që në fund shpresojmë në një rezultat pozitiv.” – tha Hristijan Maleski, i cili njëherit ishte edhe autorë i golit të fundit në përballjen ndaj Vardarit, të zhvilluar po në Strugë 28 shkurtin e këtij viti.

Megjithatë, Maleski nuk e harron dot edhe atë rast të humbur në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Shkup, kur shumë lehtë mund t’ia siguronte fitoren skuadrës, kur në minutat e fundit të takimit doli i vetëm para portierit kundërshtarë, mirëpo që fati nuk ishte në anën e tij, pasi edhe pse e kishte mposhtur Taleskin, topi për disa centimetra kishte përfunduar në rivënie fundore.

“Ai rast i takon së kaluarës tashmë…kuptohet se gjërat do të mund të kishin ndryshuar ndoshta, mirëpo ai moment nuk rikthehet, shpresoj të kem raste të tilla edhe nesër dhe të shënoj, ashtu siç bëra edhe në ndeshjen e fundit. Mund të them se bëmë një gjysëmsezon të mirë, megjithatë dështuam në pjesën e dytë, ashtu që çdoherë mundet edhe më mirë” – deklaroi autori i 16 golave deri më tani, që njëherit falënderon edhe ekipin dhe bashkëlojtarët për këtë të arritur personale.

“Me punë të madhe dhe ndihmën e ekipit, jam i lumtur që kam kontribuar për ekipin me golat dhe asistet që kam bërë. Golat janë detyra jonë, sidomos e sulmuesve, ndaj dhe kur shënojmë jemi të lumtur. Ndërsa lumturia jonë është e plotë, sidomos në raste kur edhe e ndihmojmë skuadrën për të marrë pikët e plota” – u shpreh Hristijan Maleski, dëshira e të cilit është që të luaj sërish në Europë.

“Mendoj se e meritojmë të luajmë në Europë, ashtu që shpresoj që edhe fati këtë herë të jetë me ne dhe sërish të prezantojmë qytetin tonë të bukur, por njëherit edhe Maqedoninë në skenën ndërkombëtare” – ishin fjalët e fundit gjatë kësaj interviste të Hristijan Maleskit, që nesër do të zhvillojë ndeshjen e tij të 97-të me fanellën e Struga Trim Lum, të 89-tin në ndeshjet e Ligës së Parë.