Prag ndeshja me Skopjen | Flet mesfushori Besmir Bojku

Skopje do të jetë kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Edhe një kundërshtarë tjetër ky, që vjen nga liga e dytë, pas atij takimi që patëm në xhiron e parë ndaj Shkëndijës së Haraçinës…

Struga Trim Lum e nisi mbarë sezonin e ri, duke shënuar fitore 3:0 në ndeshjen hapëse ndaj Shkëndijës së Haraçinës. Të dielën na pret ndeshja e rradhës, e që sërish do të kemi përballë një skuadër që këtë vit erdhi nga liga e dytë.

Kundërshtarë i yni do të jetë Skopje, një skuadër jo edhe aq e njohur për ne si kundërshtarë, pasi për herë të fundit ishim takuar para më shumë se tre vitesh.

“Nesër kundër Skopjes, ashtu si në çdo ndeshje tjetër duhet të hymë dhe të bëjmë më të mirën në fushën e blertë. Kur them më të mirën, e kam fjalën nëse të gjithë ne realizojmë me përpikmëri detyrat e caktuara nga ana e stafit teknik. Nëse arrijmë të bëjmë një gjë të tillë, atëherë besoj se do kalojmë mirë nga kjo transfertë në Shkup.” – u shpreh fillimisht Besmir Bojku, që pranon faktin se më nuk ka ndeshje të lehta, ashtu që nuk duhet nënvlerësuar ekipin e Skopjes.

“Për mendimin tim nuk ka më ndeshje të lehta, ashtu siç nuk e patëm fare të lehtë edhe ndaj Shkëndijës së Haraçinës, pavarësisht rezultatit përfundimtarë. Do të doja të përsërisnim një lojë të tillë dhe mbi të gjitha një rezultat të tillë, me të vetmin qëllim për të vijuar rrugën e duhur të fitoreve.” – u shpreh Bojku, që fare në fund foli edhe atmosferën e bukur që mbizotëron në skuadër dhe ambientimin e shpejtë të futbollistëve të rinj në skuadër.