Prag ndeshja me Sileksin, intervistë me Mexhit Nezirin

Me Mexhit Nezirin në formacion, Struga Trim Lum nuk dinë për disfatë në ndeshjet ndaj Sileksit, ndaj së cilës skuadër kemi një bilanc pozitiv, kur janë në pyetje ndeshjet kampionale….

Mexhit Neziri të dielën kundër Sileksit pritet ta zhvillojë ndeshjen e tij të katërt si pjesë e Struga Trim Lum. Me Nezirin në formacion neve nuk dimë për disfatë në ndeshjet ndaj skuadrës nga Kratova, ndaj të cilëve kemi një bilanc pozitiv, kur janë në pyetje ndeshjet kampionale.

“Ndeshja me Sileksin është shumë e rëndësishme për ne si skuadër. Pas dy barazimeve të njëpasnjëshme, kërkojmë që të regjistrojmë fitoren e parë në duelet e pranverës. E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, mirëpo duke pasur parasysh se vetëm fitorja na mbanë sërish në vetë kreun e tabelës, atëherë do të duhet të japim maksimumin, që të arrijmë deri tek 3-pikëshi. Shpresoj të jetë një ditë e mbarë, e diela për ne, dhe të dëshmojmë se jemi më të mirë se skuadra nga Kratova” – u shpreh Mexhit Neziri, i cili ka të shënuar një gol në përballjet ndaj kundërshtarit të ardhshëm, mirëpo në ndeshjet e Kupës.

Goli i tij kishte vlerën e finales edicionin e kaluar, ndërsa i njëjti nesër do të jetë në kërkim të golit të parë edhe në ndeshjet kampionale, gjithnjë nëse i jepet rasti.

“Neve të repartit mbrojtës jo shpesh herë shënojmë, mirëpo kur na jepet mundësia, nuk falim. Shpresoj të më jepet mundësia edhe nesër dhe premtoj se nuk do ua fali. Nëse do shënoja, do isha i lumtur, mirëpo edhe më i lumtur do isha nëse skuadra do fitonte dhe nga Kratova do ktheheshim me 3 pikë” – deklaroi Neziri, i cili në përballjet ndaj Sileksit numëron gjithsej 16 ndeshje, 15 prej të cilëve në kampionat dhe 1 në kuadër të Kupës, ku edhe vetë kishte dalë të jetë protagonistë.

Ndryshe ndaj Sileksit, Neziri numëron 6 fitore, 7 barazime dhe 3 disfata, që të trija si pjesë e Renovës.