Prag ndeshja me Makedonija GJ.P., flet kapiteni Bunjamin Shabani

Kapiteni Bunjamin Shabani ka parashikuar ndeshjen e rradhës, atë të javës së 28-të kundër Makedonija GJ.P në Shkup. Në këtë ndeshje futemi si favorit, ndaj edhe duhet dëshmuar një gjë të tillë në fushën e blertë…

E diela na servon ndeshjet e javës së 28-të, duke paralajmëruar njëkohësisht edhe 5 finalet vendimtare drejt titullit kampion. Të dielën në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit do të përballemi me Makedonija GJ.P, skuadër kjo që për momentin mban fenerin, por gjithsesi se ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit, kur ëshë në pyetje mbijetesa.

“Jemi në një fazë të kampionatit, kur çdo ndeshje, çdo pikë është shumë e rëndësishme për ne si skuadër. Nuk na lejohen më gabime, ashtu që në ndeshjen e së dielës duhet të futemi me shumë përqëndrim, por edhe motivim për të marrë tre pikët e plota. Edhe pse aktualisht ndodhen në pozitën e fundit, neve e respektojmë skuadrën e Makedonija Gj.P. Për ne tashmë çdo ndeshje është finale, dhe në të gjitha do të luftojmë të marrim maksimumin e pikëve, pasi vetëm në atë mënyrë mund të shpresojmë tek titulli” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, i cili këtë edicion me fanellën e skuadrës tonë, numëron 26 ndeshje, 3 gola dhe 3 asistime.