Trajneri Bledi Shkëmbi ka komentuar barazimin 1:1 ndaj Skopjes në Shkup…
Struga Trim Lum barazoi 1:1 me Skopjen në Shkup në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Parë. Skuadra jonë avansoi me golin e Hristijan Maleskit në minutën e 55-të, madje duke arritur të shënoj edhe një gol tjetër me anë të kapitenit Shabanit në minutën e 63-të, mirëpo i njëjti pas rishikimit të VAR u anulua, ndërsa vendasit na ndëshkuan në minutën e 71-të, kur edhe barazuan shifrat në 1:1.
Lidhur me takimin në fjalë, trajneri Bledi Shkëmbi dha edhe opinionin e tij:
“Një ndeshje që e kishim përgatitur për ta fituar dhe mendoj që e luajtëm për ta fituar. Patëm shumë raste për të shënuar më shumë se një gol, por nuk arritëm të shënojmë. Kundërshtari në ato pak raste që mundi të vijë në zonën tonë, arriti të shënojë. Pavarësisht rezultatit me të cilin jemi të zhgënjyer unë në përgjithësi jam i kënaqur me lojtarët.”
“Patjetër që nëse do kishim shënuar golin e dytë, jam i bindur që do të kishim marrë fitoren. Megjithatë jam i bindur që do të përmirësohemi më shumë dhe do të jemi një skuadër shumë e fortë.”
Ndeshjen e rradhës, e vlefshme për javën e tretë, Struga Trim Lum do ta zhvillojë kundër Vardarit në Strugë.


















