Mexhit Neziri flet në prag të takimit me Gostivarin

Të dielën Struga Trim Lum do të luaj me Gostivarin ndeshjen e vlefshme të javës së 12-të. Do të jetë kjo vetëm hera e dytë që do të përballemi me këtë skuadër në elitën e futbollit vendor, aty ku neve si skuadër do të kërkojmë edhe fitoren e tretë rradhazi, pas atyre ndaj Sileksit dhe Makedonija Gj.P.

“Ekipi është i përgatitur si për të gjitha ndeshjet tjera, ashtu edhe këtë rradhë. Jemi të vetëdijshëm  se na pret një transfertë e vështirë, kjo pasi Gostivari tashmë ka dëshmuar se posedon një skuadër të fortë, megjithatë neve jemi kampionët dhe si të tillë do të zbresim në fushën e blertë për të nxjerrë një rezultat pozitiv, që do të ishte marrja e 3 pikëve” – thotë mbrojtësi Mexhit Neziri, i cili foli edhe për atmosferën në skuadër.

“Atmosfera në skuadër është e mirë, pavarësisht eliminimit nga Kupa. Mund të them se nuk ka ndryshuar fare, pasi Struga Trim Lum është skuadër e madhe dhe vazhdon të mendoj për ndeshjet e ardhshme. Besoj se eliminimi nga Kupa do na shërbejë, për tu përqëndruar tashmë vetëm në ndeshjet e kampionatit, aty ku sërish synojmë të jemi sa më lartë në tabelën e klasifikimit” – shprehet Neziri, i cili këtë edicion është i pazëvendësueshëm në pozitën e dytë, në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Neziri ka zhvilluar të gjitha 10 ndeshjet, edhe atë që nga fillimi e deri në fund, ndërsa edhe pse nuk ka shënuar, i njëjti ka bërë 3 asistime, duke dhënë kontributin e tij në mënyrën më të mirë.