Landrit Rama foli për emocionet e para dhe vendimin e tij për t’iu bashkuar Struga Trim Lum…
Landrit Rama për herë të parë në karrierën e tij do të luaj jashtë Kosovës. Futbollisti i lindur në Zvicër, me prindër me origjinë nga Gjakova u pajtua për të qenë pjesë e Struga Trim Lum, ndërsa në intervistën e tij të parë, i njëjti foli edhe për vendimin e tij, mikëpritjen dhe atë që pret në të ardhmen me klubin e tij të ri.
Struga Trim Lum do të jetë klubi i tij i 8-të në karrierë, ndërsa i njëjti gjatë ditës së djeshme zhvilloi edhe ndeshjen e tij të parë me fanellën “bardhekuq”.
Na thoni përshtypjet e para pas kësaj ndeshje.
“Realisht u ndjeva shumë mirë. Besoj se do përshtatem shpejt me ekipin dhe mezi pres të jap maksimumin në ndeshjet që vijnë dhe në një farë mënyrë të falënderoj drejtuesit e skuadrës për besimin e dhënë. Ndeshjet kontrolluese janë më ndryshe, por neve futbollistëve të rinj na shërbejnë për tu ambientuar me ekipin dhe të njohim më mirë njëri tjetrin. Dje kundër Dinamos ishte vetëm ndeshja ime e parë me Struga Trim Lum, mirëpo besoni u ndjeva aq komod, sikur të mos luaja për herë të parë me këta bashkëlojtarë” – tha fillimisht Landrit Rama, që tregoi edhe arsyen pse iu bashkua pikërisht Struga Trim Lum.

“Kam vlerësuar se Struga Trim Lum është hapi i duhur për karrierën time. Projekti, ambiciet e klubit dhe bisedimet me drejtuesit më bindën ta pranoj këtë sfidë. Shpresoj t’ia dalim së bashku dhe në fund të arrijmë objektivat, e që si zakonisht është vetë kreu i tabelës dhe një vend për në garat europiane” – deklaroi Rama.
Ai ka mbetur i impresionuar si nga pritja, por edhe bukuritë e qytetit të Strugës, që nuk e kishte vizituar asnjëherë në të kaluarën.
“Jam pritur shumë mirë nga drejtuesit, stafi dhe bashkëlojtarët. Me një fjalë, ashtu siç e kemi zakon neve shqiptarët. Mendoj se kam gjetur një ambient profesional dhe shumë pozitiv, pasi një gjë të tillë po e ndjej që në këto ditë të para, e që vërtetë kam mbetur i mahnitur, kjo falë edhe akomodimit tim këtu në Strugë dhe bukuritë që posedon ky qytet. Edhe pse i vogël, me njerëzit që e vizitojnë të bën përshtypje se kam ardhur në një qytet të madh, e ku shpresoj që me kalimin e kohës të njihem me njerëz, tifoz dhe me kulturën e këtij qyteti turistik, e ku shpresojmë që shumë shpejtë t’ia kthejmë edhe epitetin e kampionit” – tha Rama në vijim të intervistës së tij të parë si futbollistë i Struga Trim Lum, duke premtuar shumë punë dhe përkushtim për ngjyrat “bardhekuq” të ekipit, të cilin e ka ndjekur edhe më herët para se të vendoste ti bashkohej.
“Premtoj shumë punë, përkushtim dhe maksimumin në çdo ndeshje. Shpresoj që së bashku të arrijmë objektivat dhe t’u sjellim sa më shumë gëzime tifozëve tanë besnik. Struga Trim Lum meriton një gjë të tillë, pasi e di që bëhet fjalë për një klub serioz dhe me ambicie të larta, që në çdo ndeshje futet vetem per fitore. Këtë konkludim e bëj, pasi Strugën si skuadër e kam ndjekur edhe më herët, bashkë edhe me kampionatin këtu në Maqedoni” – përfundoi intervistën e tij Landrit Rama, që në futbollin kosovar numëron mbi 100 ndeshje zyrtare.


















