Ibra dhe Radeski flasin në prag të derbit me FC Shkupin

Të dielën na pret ndeshja derbi kundër FC Shkupit. Ndeshjen do ta zhvillojmë në transfertë, ndërsa në prag të së njëjtës kanë folur dyshja sulmuese, Besart Ibraimi dhe Marjan Radeski.

Që të dy numërojnë plotë 17 gola në këtë sezon, përfshirë këtu edhe golat e shënuar në garat europiane, aty ku vërtetë kjo dyshe shkëlqeu me paraqitjet e bëra.

Edhe Ibraimi, edhe Radeski respektojnë tej mase kundërshtarin e nesërm, megjithatë që të dy kërkojnë  vazhdimin e serisë pozitive.

“Është një derbi, një ndeshje ku besoj se do të vendosin detaje të vogla. E respektojmë Shkupin, mirëpo gjithsesi se në këtë ndeshje shkojmë për të nxjerrë një rezultat pozitiv” – u shpreh Besart Ibraimi.

“Para së gjithash respekt për ekipin e FC Shkupit. vërtetë kanë një skuadër shumë të mirë dhe kjo paralajmëron një ndeshje shumë të papërshtatshme. Secili prej nesh duhet të jap 200% nga vetja për të besuar te rezultati pozitiv. Jemi përgatitur shumë mirë dhe normalisht që shkojmë për tre pikët e plota. Premtoj se do të jap më të mirën nga vetja për të arritur objektivin e skuadrës, ndërsa një gjë të tillë e di që do e bëjë gjithësecili nga nesh” – u shpreh Marjan Radeski.

GOL NË RRJETËN KUNDËRSHTARE…

“Si çdo sulmues, ashtu edhe unë në çdo ndeshje kërkojmë të shënojmë, mirëpo sinqerisht kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është që t’ia arrijmë qëllimin në fund, të marrim fitoren pa marrë parasysh se kush shënon” – thotë Ibraimi.

“Nëse nuk do shënoja, por do e fitonim ndeshjen, besoni se do isha shumë i lumtur. Fitoret e Struga Trim Lum më bëjnë shumë të lumtur, ashtu që në fund shpresoj që të gjithë të dalim të buzëqeshur dhe kokëlartë” – shprehet Radeski, i cili për në Shkup udhëton si golashënuesi i fundit për skuadrën tonë.

Pikërisht goli i tij na e siguroi fitoren në mesjavë kundër Voska Sport. Ishte goli numër 3 për të në kampionat, ndërsa një më shumë ka të shënuar Besart Ibraimi, i cili gjithashtu shkëlqeu edhe në ndeshjet europiane, aty ku realizoi plotë 7 gola, 6 në Ligën e Konferencës dhe 1 në Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër Radeski garat europiane i mbylli me 3 gola të shënuar, që të gjithë kundër Buduçnost, në atë fitore të çmendur 4:3 në Podgoricë.