Humbim në finale, penaltitë të kobshme për skuadrën tonë

Penaltitë dolën të jenë të kobshme për Struga Trim Lum në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, që e zhvilluam sot përballë Makedonija GJ.P.

Ndeshja nisi mirë për skuadrën tonë, pasi që në minutën e katërt Bojku u kanos duke goditur me kokë, mirpëo në vendin e duhur ishte portieri kundërshtarë, Stevkovski.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm një minutë më pas, Valentin Koçoski goditi nga distanca, mirëpo vetëm mbi portë. Futbollisti i rradhës që u kanos, ishte Suhel Muharremi, por  edhe goditja e tij përfundoi në duart e Stvekovskit, njëjtë sikurse edhe ajo e Bunjamin Shabanit në minutën e 19-të.

Pas gjithë këtyre tentativave jo të suksesshme, në minutën e 28-të, arbitri kryesor Igor Stojçevski tregoi në pikën e bardhë, me preteksin se njëri prej futbollistëve tanë kishte luajtur me dorë. Përgjegjësinë e ekzekutimit të penaltisë te skuadra kundërshtare, e morri kapiteni Filip Mishevski, që shënoi për 1:0.

Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë trajneri Shpëtim Duro, vendosi të rifreskojë skuadrën me inkuadrimin në lojë të Fatjon Jusufit dhe Marjan Radeskit, që zëvendësuan dyshen, Edis Maliqi-Suhel Muharremi.

Aksionin e parë më serioz për të shënuar në pjesën e dytë, e regjistrojmë në minutën e 56-të, kur pas disa kombinimeve të sakta, Ibraimi doli në një situatë mjaft të mirë për të shënuar, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë kuadrantit.

Në minutën e 73-të Mexhit Neziri nga e djathta harkoi në zonën kundërshtare deri te Marjan Radeski, që provoi me kokë, mirëpo në vendin e duhur edhe njëherë tjetër ishte portieri kundërshtarë.

Golin e shumëkërkuar e gjetëm në minutën e 77-të, kur pas një harkimi në zonën kundërshtare, topi arriti deri te Mexhiti, që e riktheu atë para 5-metërshit të portierit kundërshtarë, i cili doli fitues në tentativën e parë të Sava Radiç, mirëpo jo edhe në tentativën e dytë kur Fatjon Jusufi shënoi për 1:1.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e tifozëve tanë, që kishin udhëtuar drejt Shkupit për të në përkrahur edhe drejt një trofeu tjetër, që fatkeqësisht nuk arritëm ta sjellim në Strugë.

Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta, edhe përkundër dominimit të lehtë që kishin në terren, nuk arritëm të shënonim edhe golin e dytë, ashtu që ndeshja iu drejtua penaltive, aty ku dështuam në tërësi.

Që të gjithë 4 futbollistët e përzgjedhur nga trajneri Duro, nuk shënuan. Tairi goditi mbi portë në serinë e parë, Radeski dhe Neziri goditën traverzën, derisa goditjen e fundit të Bunjamin Shabanit, arriti që ta ndalë portieri Stevkovski, duke i dhënë mundësinë që në serinë e katërt Skenderi të shënojë golin e fitores për Makedonija GJ.P., që në këtë mënyrë feston trofeun e tretë dhe të dytin me rradhë, nga gjithsej 5 finale të luajtura.

Për skuadrën tonë ishte kjo finalja e parë në histori, në të cilën dështuam për ta fituar dhe për ta përmbyllur në mënyrën më të mirë sezonin 2022/23, në të cilën u shpallëm kampion.

Pavarësisht disfatës, festa vijon edhe nesër në qendër të Strugës, aty ku do të performojnë këngëtarë të njohur të estradës tonë.

FINALJA E KUPËS, SEZONI 2022/23
Stadiumi “Petar Milloshevski” – FFM | Shkup
STRUGA TRIM LUM – MAKEDONIJA GJ.P 1:1 (90’) | 1:1 (120’) | 0:2 Pen.
Formacioni i skuadrës
Formacioni i parë: Kjoshevski; Mexhiti, Radiç, Krivanjeva; Maliqi, Bojku, Koçoski, Merxhani; Muharremi, Ibraimi, Shabani
Banka rezervë: Mirseloski, Kitanovski, Jahja, Tairi, Radeski, Jusufi, Pengu, Hogan, Maleski, Pere, Kaba