Fitore 2:1 në Shkup përballë Rabotniçkit, që na mundëson të ruajmë pozitën e parë në renditje, tashmë madje me 3 pikë epërsi ndaj skuadrës së dytë në renditje, FC Shkupit. Kjo fitore që erdhi falë golave të shënuar nga Radeski dhe Vlajkoviç, i dedikohet lojtarit tonë, Besmir Bojku, i cili pësoi një frakturë pas një dueli në minutën e 85-të….
Këtu mund të njiheni me momentet më interesante nga takimi i sotëm në arenën “Todor Proeski” në Shkup
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, edhe pse nuk munguan rastet në të dyjat anët
Marjan Radeski nga ndeshja në ndeshje po dëshmon se ndodhet në formë të shkëlqyeshme. Sulmuesi ynë në minutën e 52-të bëri një kryevepër, duke shënuar një ndër golat më të bukur të karrierës
Zëvendësimet në fillimin e pjesës së dytë, freskuan lojën e skuadrës tonë, që diktonte tempo dhe nuk dorëzohej edhe në momentet kur vendasit barazuan
Pas një aksioni model, një aksioni prej kampionësh, në minutën e 70-të me anë të Vlajkoviç rikthyem shpejtë epërsinë, të cilën e ruajtëm deri në fund
Minuta e 85-të doli të jetë e kobshme për lojtarin tonë, Besmir Bojku, i cili pas një dueli me Egzon Belicën, pësoi frakturë në këmbën e djathtë. Edhe përkundër se e pësoi më rëndë, Bojku u ndëshkua me të kuq
Për Nikolla Vlajkoviç, goli i sotëm ishte debutues me fanellën e skuadrës tonë
__________________________________________________________________________________________________________
Fitorja e sotme ndaj Rabotniçkit, doli të jetë shumë e rëndësishme për ne si skuadër, mirëpo e njëjta kaloi nën hijen e dëmtimit të rëndë të mesfushorit tonë, Besmir Bojku. Numri 10-të i skuadrës tonë, pas një dueli me Egzon Belicën në minutën e 85-të, pësoi frakturë në këmbën e djathtë.
Deri në ato momente, Bojku ishte një ndër futbollistët më aktiv në mesfushën tonë, e cila edhe njëherë tjetër dëshmoi se posedon shumë cilësi dhe se është pika më e fortë e skuadrës.
PJESA E PARË
Një pjesë e parë, thuajse e barabartë, kur janë në pyetje rastet për gol, pasi e njëjta nuk prodhoi gola. Ekipi ynë luajti në mënyrë shumë të qetë, duke mos harxhuar energji shumë, për dallim nga skuadra vendase, që luajti me më shumë zemër, mirëpo që në fund nuk arriti të mposhtë portierin tonë, Vedran Qoshevski, i cili edhe sot bëri një super paraqitje, e ku vlen të theksohet intervenimi i tij bravuroz në minutën e tretë shtesë të takimit, kur fillimisht ndali goditjen e Sbait Bilallit nga distanca, që më pas të ndalojë edhe Vlatko Stojanovskin.
PJESA E DYTË
Pjesën e dytë e nisëm me tre zëvendësime. Vendin e Hogan Ukpa, i cili gjatë 45 minutave të para, më shumë luajti në pjesën difenzive, se në atë ofenzive, e zuri Bassirou Compaore, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e sotme, duke mos harruar këtu edhe Hristijan Georgievskin dhe Edis Maliqin, që zunë vendet e Shaban Zenkut, gjegjësisht Mentor Mazrekajt.
Inkuadrimi i treshes, Compaore, Georgievski, Maliqi, solli më shumë freski në rradhët tona, dhe një lojë më të hapur, që rezultoi me gol në minutën e 52-të.
Marjan Radeski bëri gjithçka mirë para zonës kundërshtare. Edhe pse i rrethuar nga tre futbollistë kundërshtarë, sulmuesi ynë gjeti hapësirën për të goditur, duke shënuar një eurogol të vërtetë me të majtën e tij.
Ishte ky goli numër 12-të për Radeskin, që në këtë mënyrë barazohet me Aleksa Marushiç në krye të listës së golashënuesve.
Pas këtij goli, loja jonë u bë edhe më produktive, me lojtarët tanë që shumë lehtë dukej se zotëronin mesfushën. Megjithatë një devijim i Sava Radiç, në tentativë për të pastruar rrezikun në zonën tonë, përfundoi në këmbët e Vlatko Stojanovskit, i cili nuk fali dhe në minutën e 69-të, barazoi shifrat në 1:1.
Megjithatë kundërpërgjigjja jonë erdhi shumë shpejtë, që në aksionin e rradhës. Mbi të gjitha goli i dytë erdhi pas një aksioni model mes kampionësh, me Radeskin, që pasoi për Shabanin, ky i fundit për Compaore, i cili kreu punën më të madhe, duke i servuar një top para portës së zbrazët, mbrojtësit të djathtë, Vlajkoviç, i cili nuk e kishte të vështirë të shënojë edhe golin e dytë në rrjetën e Aleksovskit.
Goli i epërsisë erdhi në momentin e duhur për skuadrën tonë, që vendosi të luaj me më shumë pasime në mesfushë, aty ku pas një dueli të ashpër në minutën e 85-të, Besmir Bojku, fatkeqësisht pësoi një frakturë në këmbën e djathtë.
Numri 10-të i skuadrës tonë në minutën e 85-të kishte një duel të ashpër me futbollistin kundërshtarë, Egzon Belica, ndërsa reagimi i tij bëri që të kuptojmë se bëhej fjalë për një dëmtim të natyrës më të rëndë.
Kështu, Bojku me ambulancë u dërgua për në spitalin e qytetit të Shkupit, aty ku u konstatua, se i njëjti kishte pësuar frakturë të këmbës, që automatikisht do e largojë atë për disa muaj nga fushat e futbollit.
Nese si skuadër i urojmë shërim sa më të shpejtë Bojkut, me shpresë se do të rikthehet edhe më i fortë në fushat e blerta dhe se në fund e gjithë kjo situatë aspak e lakmueshme e momentit do të rezultojë me një gëzim të madh në fund, titullin e kampionit.
Kujtojmë, deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe 9 xhiro, në të cilat futemi me 3 pikë epërsi ndaj vendit të dytë, FC Shkupit dhe plotë 7 pikë më shumë se Shkëndija e vendit të tretë.
___________________________________________________________________________________________________________
RABOTNIÇKI – STRUGA TRIM LUM 1:2
Autorë të golave: V. Stojanovski 69′ – M. Radeski 52, N. Vlajkoviç 70′
Stadiumi: Todor Proeski – Shkup
Shikues: 500
Arbitër Kryesor: Aleksandar Grujoski
Kartonë të verdhë: D. Danev, V. Stojanovski, M. Angellov (Rabotniçki) – Sh. Zenku, V. Zguro, B. Krivanjeva, V. Qoshevski;
Karton i Kuq: B. Bojku
Formacionet:
RABOTNIÇKI: I. Aleksovski, D. Alomeroviç, E. Belica, S. Despotovski, D. Danev (A. Mazari), S. Rashed, M. Angelov, A. Gando, A. Reghba, V. Stojanovski, D. Todorovski;
STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, N. Vlajkoviç (M. Neziri 78′), B. Krivanjeva, S.Radiç, V. Zguro, Sh. Zenku (H. Georgievski 46′), B. Bojku, H.Ukpa (B. Compaore 46′), B. Shabani, M. Mazrekaj (E. Maliqi 46′), M. Radeski
___________________________________________________________________________________________________________