Vjen edhe fitorja e rradhës për skuadrën tonë. Në kuadër të javës së 25-të, mundim Akademia Pandevin me rezultatin 3:1. Që të tre golat futbollistët tanë i realizuan gjatë pjesës së parë, që doli të jetë një ndër më të mirat e këtij sezoni.
Besart Ibraimi në minutën e 12-të realizoi një super gol nga gjuajtja e lirë. Kur të gjithë prisnin që Ibra të harkojë brenda zonës nga krahu i majtë, ai vendosi që të godas drejtëpërdrejtë, duke vendosur topin pas shpinës së portierit mysafir. Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më vonë, Ibraimi sërish doli në skenë duke realizuar edhe golin e dytë personal dhe të 12-tin e sezonit, duke vazhduar në këtë mënyrë të kryesojë edhe listën e golashënuesve në elitën e futbollit vendor.
Këto dy gola të bomberit kërçovarë i dhanë krahë skuadrës, që vazhdoi të sulmojë, e ku si rezultat në minutën e 20-të erdhi edhe goli i tretë, kësaj rradhe me autorë Suhel Muharemi.
Ky gol u tregua edhe si i fundit gjatë pjesës së parë, ndërsa mysafirët golin e nderit e realizuan në fillimin e pjesës së dytë.
Gjatë kësaj pjese, skuadra jonë me vetëdije u tërhoq në pjesën e saj, duke kërkuar që përmes kundërzbritjeve të ndëshkonte kundërshtarin, ndërsa shumë pranë golit ishte Marjan Radeski, i cili në minutën e 79-të nga brendia e zonës goditi vetëm shtyllën, pas atij asisti të Bunjamin Shabanit.
Deri në fund të takimit nuk pati edhe shumë raste shënimi, derisa vlen të theksohet ai i minutës së 87-të, kur Velinovski goditi vetëm mbi portë.
Fitorja e sotme ishte e 14-ta sezonale, pas së cilës vazhdojmë të udhëheqim renditjen, tashmë me 49 pikë, 5 më shumë se Shkëndija që renditet e dyta para FC Shkupit.