Fakte dhe statistika në prag të takimit me Sileksin

Për kampionët në fuqi të vendit, takimi me Sileksin nuk është vetëm fillimi i një muaji jashtëzakonisht të rëndësishëm, por është gjithashtu edhe një moment i bukur për histori…

Struga Trim Lum të dielën viziton Sileksin në Kratovë, në ndeshjen e vlefshme të javës së 21-të në elitën e futbollit vendor. Për kampionët në fuqi të vendit, takimi me Sileksin nuk është vetëm fillimi i një muaji jashtëzakonisht të rëndësishëm, por është gjithashtu edhe një moment i bukur për histori, pasi neve të dielën zhvillojmë ndeshjen e 120-të në kuadër të Ligës së Parë.

66 fitore, 40 barazime, 33 disfata, është epilogu i gjithë këtyre takimeve deri më tani, ku kemi arritur të shënojmë 179 gola, dhe të pranojmë 122 sosh.

NDESHJET E DERITANISHME

Ndeshja e së dielës kundër Sileksit do të jetë e 11-ta zyrtare në kampionat. 7 fitore në favorin e skuadrës tonë, 2 barazime dhe vetëm 1 disfatë, është epilogu i takimeve të deritanishme, ku kemi realizuar 14 gola, derisa kemi pranuar vetëm 4.
Disfatën e fundit dhe të vetme e kemi pësuar me 27 tetor të vitit 2019-të.
Kundër Sileksit numërojmë gjithashtu edhe dy ndeshje në kuadër të Kupës, ku kemi regjistruar një fitore dhe një disfatë.

3 NDESHJET E FUNDIT, 3 FITORE PA ASNJË GOL TË PRANUAR

Në 3 ndeshjet e fundit kemi regjistruar 3 fitore, e mbi të gjitha duke mos pranuar asnjë gol. Në ndeshjen e fundit, njeriu vendimtarë doli të jetë Marjan Radeski, që shënoi dy gola në fitoren 2:0, derisa në ndeshjen e fundit kampionale të sezoniit të kaluar, në terren vendas regjistruam fitoren më të thellë në përballjet ndaj Sileksit.

3:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin, Bunjamin Shabani realizoi “dopietë”, derisa një gol tjetër shtoi edhe Besart Ibraimi.

Fitoren e tretë me rradhë pa gol të pranuar ndaj Sileksit e kishim regjistruar me 4 prill të vitit të kaluar, kur falë golit të Mexhit Nezirit, kishim shënuar fitore minimale 1:0, që na kishte mjaftuar për të prekur për herë të parë në histori finalen e Kupës së Maqedonisë.

BESART IBRAIMI NË KËRKIM TË GOLIT TË 16-TË PËRBALLË SILEKSIT

Besart Ibraimi të dielën kundër Sileksit do të zhvillojë ndeshjen e tij të 23-të personale. Një gjë tillë, sulmuesi ynë ka bërë vetëm ndaj FC Shkupit, ndaj së cilës skuadër njëherit numëron edhe më së shumti gola (gjithsej 17), ndërkohë ndaj Sileksit gjatë ditës së nesërme do të jetë në kërkim të golit të 16-të, ndërsa pse jo edhe të barazojë rekordin, apo të thyej të njëjtin, kjo pasi deri më tani kundër skuadrës nga Kratova numëron 15 gola të shënuar, 17 fitore, 3 barazime dhe vetëm dy disfata.

ME IBRAIMIN NË FORMACION, NUK DIMË PËR DISFATË NË NDESHJET NDAJ SILEKSIT

Takimi i së dielës kundër Sileksit, për Besart Ibraimin do të jetë i 5-ti, që do ta zhvillojë me petkun e skuadrës tonë. Në 4 ndeshjet e deritanishme, skuadra ka regjistruar po aq fitore, derisa vetë Ibraimi ka arritur të shënojë 3 gola.

FORMA MOMENTALE

Në këtë ndeshje futemi pas dy barazimeve të njëpasnjëshme, dhe një loje të shkëlqyer ndaj FC Shkupit në ndeshjen e fundit, ku edhe përkundër avantazhit që kishim në dy raste, nuk arritëm të shfrytëzojmë edhe një penalti, duke u kënaqur në fund me barazimin 2:2.

Paraprakisht barazuam 0:0 me Rabotniçkin në Shkup, ndërkohë para ndeshjeve të pranverës kishim lidhur 4 fitore të njëpasnjëshme, që na mundësuan të shpallemi kampion vjeshte.

Sileksi e nisi me disfatë stinorin pranveror, duke u mundur në shtëpi nga AP Brera, ndërkohë fundjavën që lamë pas barazuan pa gola në Ohër ndaj Voska Sport. Ata kishin humbur edhe ndeshjen e fundit vjeshtore nga Shkëndija, ndërsa nëse marrim parasysh 5 ndeshjet e fundit të skuadrës nga Kratova, ato kanë arritur vetëm një fitore, edhe atë ndaj Vardarit.

MUNGESAT

Mungesa e vetme për takimin e së dielës kundër Sileksit do të jetë Besmir Bojku, i cili ka mbushur normën e kartonëve të verdhë. Pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm për të dhënë më të mirën dhe për të plotësuar kërkesat e trajnerit Shpëtim Duro, i cili nuk pritet që të bëjë shumë ndryshime në formacion.

Vendin e Bojkut mund ta zë, Hristijan Georgievski, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kundër Sileksit titullarë të luaj edhe përforcimi i merkatos së dimrit, Vlajkoviç, i cili kundër FC Shkupit bëri debutimin e tij me fanellën e Struga Trim Lum.

Dyshja e sulmit, sërish pritet të udhëhiqet nga Radeski dhe Ibraimi, që kanë provuar të shënojnë kundër Sileksit, njëjtë sikurse edhe Bunjamin Shabani, që pritet të jetë violina e parë në mesfushë, aty ku mund të ketë ndryshim, për dallim nga ndeshja e kaluar.

DEKLARATA – SHPËTIM DURO:

“Gjendja në skuadër është shumë e mirë. Në dy ndeshjet e para të pranverës nuk kemi marrë atë çfarë kemi merituar. Shpresoj që të bëjmë më mirë nesër, e mbi të gjitha shpresoj që fati të jetë në anën tonë”.

NDESHJA KUNDËR SILEKSIT, NDESHJA E 40 JUBILARE PËR DURON

Ndeshja e nesërme kundër Sileksit do të jetë në një farë mënyre një jubile për trajnerin Shpëtim Duro, që për të 40-tën herë do të udhëheq skuadrën. 25 fitore, 5 barazime dhe 9 disfata, është epilogu i deritanishëm i strategut nga Tirana, i cili nesër kundër Sileksit do të kërkojë fitoren e 23-të vetëm në ndeshjet kampionale.

Deri më tani, Duro skuadrën tonë në Ligën e Parë e ka udhëhequr në 31 ndeshje, duke regjistruar 22 fitore, 4 barazime dhe 5 disfata, me një gol-averazh prej 60 golave të shënuar dhe 25 të pranuar.

ARBITËR TË TAKIMIT

Për herë të fundit na kishte referuar me 11 nëntor kundër AP Brera, kur në Strumicë ishim mundur me shifrat 2:1, ndërsa Aleksandar Grujoski, do na referojë edhe nesër kundër Sileksit.

Mirëpo kjo nuk është ndeshja e vetme e këtij edicioni, në të cilën ky arbitër na ka referuar në ndeshjet e Ligës së Parë. Një gjë të tillë ai kishte bërë edhe kundër FC Shkupit në Çair, kur gjithashtu kishim pësuar disfatë.

Për herë të parë në Ligën e Parë, kishte referuar me 31 mars të vitit 2019, kur Shkëndija në Tetovë mundte Pobedën me shifrat 5:2, derisa këtë edicion në gjithsej 13 ndeshje, ka treguar 94 kartonë të verdhë, apo nga 7.2 kartonë për ndeshje, në katërt raste ka treguar nga dy kartonë të verdhë për të njëjtin lojtar, duke përjashtuar atë nga loja, ndërsa në vetëm një rast ka treguar direkt kartonin e kuq, edhe atë në ndeshjen e javës së kaluar midis AP Brera dhe Makedonija GJ.P, kur nga loja largoi futbollistin vendas Stefan Naumçevski.

Arbitër Kryesor: Aleksandar Grujoski (Kërçovë)
Ndihmës i parë: Kushtrim Lika (Kërçovë)
Ndihmës i dytë: Davor Cvetanoski
Arbitër i katërt: Aleksandar Urosheviq (Tetovë)

NDESHJA

Ndeshja midis Sileksit dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet nesër me fillim në ora 14:00 stadiumin e qytetit në Kratovë, aty ku deri më tani kemi regjistruar 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Humbjen e vetme në kuadër të ndeshjeve kampionale, e kemi pësuar me 27 tetor të vitit 2019.

TRANSMETIMI I NDESHJES

Ndeshjen midis Sileksit dhe Struga Trim Lum, për gjithë ata që nuk do të mund të jenë në stadium, ju njoftojmë, se të njëjtën mund ta ndiqni në kanalin e youtube të FFM-së.