Bunjamin Shabani me padurim pret ndeshjen me Rabotniçkin

Kapiteni Bunjamin Shabani me padurim po pret ndeshjen e së dielës kundër Rabotniçkit, në të cilën skuadra jonë do të kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, pas atyre dy fitoreve identike 3:1 ndaj Tikveshit dhe së fundmi kundër Bregallnicës në Shtip.

Shabani respekton kundërshtarin, për të cilin thotë se ka një skuadër shumë cilësore, megjithatë Struga Trim Lum si skuadër kampione në çdo ndeshje do të kërkojë maksimumin e pikëve.

“Normalisht që fitorja në Shtip ishte me rëndësi, pas ndeshjeve në Europë ishte shumë me rëndësi që të përqëndrohemi në kampionat. Tani shpresojmë në Strugë të vazhdojme serinë e fitoreve, edhe pse e dimë që nuk do ta kemi të lehtë përballë një skuadre si Rabotniçki. Ata kanë një skuadër cilësore, por premtojmë se do të japim maksimumin si në këtë ndeshje, ashtu edhe në ndeshjet e rradhës, me qëllim për të marrë maksimumin e pikëve dhe sërish të luftojmë për titullin e kampionit” – u shpreh Bunjamin Shabani, i cili ende është në kërkim të golit të parë në edicionin e ri.

Autori i 12 golave të edicionit të kaluar, në katër ndeshjet e këtij sezoni ka dhënë vetëm një asist, ndërsa paraqitjet e tij të shkëlqyeshme ndihmuan skuadrën në arenën Europiane, aty ku shkruajtëm historinë, duke arritur deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.