Java e 29-të na sjellë përballjen me Tikveshin në shtëpi, ndërsa e njëjta sipas mbrojtësit Besart Krivanjeva, është finalja e parë nga gjithsej 5 në kampionat për ekipin tonë, që aktualisht mban pozitën e liderit.
Gabimet nuk falen, ndaj dhe në çdo ndeshje ekipi duhet të jetë shumë mirë i përgatitur për të mos lëshuar rastin historik, që 8 vite pas themelimit si klub, Strugës për herë të parë ti sjellim titullin e kampionit.
“Ndeshje shumë e rëndësishme, finalja jonë e parë nga gjithsej 5 që do ti zhvillojmë në kampionat. Gabimet nuk na falen, ndaj dhe besoj se në këtë aspekt kemi punuar mjaftueshëm gjatë këtyre ditëve, që i kemi shfrytëzuar në maksimum. Tikveshi mund të them se është një nga kundërshtarët më të papërshtatshëm, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë në nivel. Besoj se nëse shënojmë të parët, edhe atë që në fazën e hershme, fitoren nuk duhet diskutuar” – u shpreh Besart Krivanjeva, i cili pa dyshim se solli shumë stabilitet në mbrojtjen tonë, që aktualisht bashkë me atë të Shkëndijës janë më të mirat e sezonit.