10 herë kampion në Lituani, ju njohim me rivalin tonë në raundin e parë të Ligës së Kampionëve

Gjatë ditës së sotme në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, aty ku për herë të parë do të marrë pjesë edhe skuadra jonë e Struga Trim Lum. Shorti deshi që për kundërshtarë në raundin e parë eliminator të kemi skuadrën lituaneze të Zhalgiris.

Ndeshjen e parë do ta zhvillojmë në transfertë me 11/12 korrik, ndërsa një javë më pas do ti mirëpresim në terren vendas.

Por kush është ekipi me të cilin do të përballemi?

Zhalgiris është themeluar në vitin 1947, mirëpo atë kohë me emrin Dinamo. Emri i klubit përkujton Betejën fitimtare të Zhalgiris (Beteja e Grunëald). Vetëm një vit pas themelimit, ata ndryshuan emrin në Spartakas Vilnius, emër ky me të cilin garuan deri në vitin 1962, kur edhe zyrtarisht ky klub u quajt Zhalgiris Vilnius, ashtu siç e mban edhe sot, mirëpo nga viti 2015-të, me shtesën para FK Zhalgiris Vilnius.

Te Zhalgiris kanë luajtur shumë legjenda të futbollit lituanez, përfshirë këtu emrat, si: Arminas Narbekovas, Valdas Ivanauskas, Edgaras Jankauskas dhe Deividas Shemberas.

Skuadra e Zhalgiris numëron 10 tituj kampion, në 14 raste ka fituar Kupën, ndërsa edhe 8 herë të tjera SuperKupën e Lituanisë.

Për herë të parë kampion në Lituani, skuadra e Zhalgiris ishte shpallur në vitin 1991, ndërsa vlen të theksohet se në 10 vitet e fundit, kjo skuadër plotë 7 herë është shpallur kampion, duke prezantuar vendin vazhdimisht në Kupat e Europës.

Në dy vitet e fundit, kjo skuadër përveç titullit kampion, ka fituar edhe trofeun e Kupës paralelisht, gjë të cilën e kishte bërë edhe në vitet 1991, 2013, 2014, 2015 dhe 2016.  

Sezonin e kaluar skuadra e Zhalgiris në raundin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve kishte eliminuar kampionin e Kosovës, Ballkanin.

Skuadra nga Suhareka u përball denjësisht me lituanezët. Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Kosovës, Zhalgiris avancoi më tej vetëm në kohën shtesë falë një goli në minutën e 97-të.

Më tej në raundin e dytë lituanezët kaluan më sukses edhe suedezët e Malmos, ndërsa në raundin e tretë u eliminuan nga norvegjezët e Bodo Glimit.

Në “Play-Off-in” e Liga Europa, skuadra e Zhalgiris nuk mundi t’i bëj ballë kampionit bullgar të Ludogorets, megjithatë lituanezët kishin siguruar pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës, aty ku e mbyllën në vendin e fundit me vetëm 5 pikë të siguruara.

Në grupin H, Zhalgiris u përballë me skuadrat e Sllovan Bratislavës, Bazelin dhe Pyunik Yerevan, ndaj së cilës skuadër edhe kishte regjistruar fitoren e vetme.

Për sa i përket vlerës së skuadrës lituaneze në sajtin e specializuar “Transfermarkt”, skuadra e Zhalgiris peshon plotë 8 milionë eurove, gati dyfishin e skuadrës tonë, që peshon 4.08 milion euro.

Megjithatë në futbollin modern, jo çdoherë paraja fiton, gjë të cilën e dëshmuam edhe në kampionat gjatë sezonit të fundit, kur me një buxhet shumë më të vogël se Shkëndija dhe FC Shkupi, i’a arritëm që të shpallemi kampion.

Klubi ynë është themeluar vetëm në vitin 2015-të, dhe brenda 8 viteve neve për herë të dytë po luajmë në arenën ndërkombëtare (herën e parë në vitin 2021 luajtëm në Ligën e Konferencës), për dallim nga Zhalgiris, që në Europë për herë të parë kishte debutuar në sezonin 1998/99.

Në total, Zhalgiris në garat europiane numëron plotë 93 ndeshje, ku ka regjistruar 29 fitore, 19 barazime dhe 45 disfata, me një gol-averazh 99-148.

Trajneri

Skuadra e Zhalgiris udhëhiqet nga trajneri kazakistanez, Vladimir Cheburin. 57-vjeçari drejtimin e kampionëve të Lituanisë e kishte marrë me 11 janar të vitit 2021, dhe që nga ajo ditë ai ka drejtuar këtë skuadër në plotë 123 ndeshje, duke regjistruar  74 fitore, 27 barazime dhe 22 disfata.

Nën drejtimin e tij, Zhalgiris ishte shpallur dy herë kampion, ndërsa gjithashtu edicionin që lamë pas arriti që të fitojë edhe trofeun e Kupës.

Futbollistët

Anglezi, Mathias Oyewusi është golashënuesi më i mirë i skuadrës në sezonin që po zhvillohet aktualisht në Lituani, e ku Zhalgiris pas 18 xhirove renditet në pozitën e 3-të me 37 pikë, 6 më pak se liderët e FK Panevezys.

Përveç Oyewusi, një tjetër lojtar, tek i cili duhet të jemi të vëmenshëm, është edhe malazezi, Milickovic Marko, një mesfushor me tipare sulmuese, i cili në sezonin aktual në 14 ndeshje ka realizuar 4 gola.

Zhalgiris në rradhët e veta ka më shumë futbollistë të huaj, përfshirë këtu argjentinas, japonez, francez, islandez, anglez, kroat, etj.

Stadiumi

Një kohë të gjatë, FK Zhalgiris Vilnius ndeshjet e saja i ka zhvilluar në Zhalgiris stadium, njëherit stadiumi më i madh në Lituani me një kapacitet prej 15,029. Mirëpo që nga viti 2011, kundërshtari ynë në Ligën e Kampionëve, ndeshjet e saja i zhvillon në stadiumin LFF (stadiumi i Federatës së Futbollit të Lituanisë), që ka një kapacitet prej 5000 vendesh.

Tifozët

“Pietų”, është emri i grupit të tifozëve që përkrahin ekipin e Zhalgiris. Ky grup thuhet se është themeluar në vitin 1985, dhe se që nga atëherë ata janë krah skuadrës së tyre në çdo ndeshje. Ky grup madje ka ndihmuar ekipin e zemrës në momentet kur ka përjetuar krizë financiare dhe bashkë me drejtuesit e rinj, ata janë edhe ndër themeluesit e klubit FK Zhalgiris Vilnius.

Fanellat

Fanellat e para të Zhalgiris kishin qenë blu dhe kuq, e ndonjëherë edhe ngjyrë portokalli, ndërsa që nga viti 1980, fanellat e kësaj skuadre janë me ngjyrat jeshile dhe bardhë.