RAPORTI I NDESHJES | STRUGA TRIM LUM – SILEKSI 1-0

Vjen edhe fitorja e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion në terren vendas. Viktimë e rradhës, ishte Sileksi…

Struga Trim Lum ka vazhduar serinë pozitive të rezultateve kur janë në pyetje ndeshjet si vendas. 4 ndeshje, 4 fitore, mbi të gjitha pa asnjë gol të pranuar, bën që Struga Trim Lum të shfrytëzoj në maksimum terrenin vendas dhe pas 6 xhirove të para të figurojë lartë në renditje.

Sileksi ishte viktima e rradhës. Edhe përkundër dominimit total në zotërimin e topit për gjatë 90 minutave, në ndeshjen ndaj kundërshtarit nga Kratova na mjaftoi vetëm një gol, i realizuar në pjesën e dytë nga Lassana Diako.

________________________________________________________________________________________________________________

________________________________________________________________________________________________________________

Ndeshja doli të jetë shumë e fortë dhe jo aq e bukur për syrin e shikuesit, pasi nuk është se prodhoi shumë raste për gol.

Ndër rastet që duhet veçuar gjatë pjesës së parë, është ai i Marjan Radeskit, goditjen e të cilit portieri mysafir me gishtërinjtë e tij e devijoi në rivënie nga këndi, duke mos lejuar gëzimin e sulmuesit tonë.

Edhe pjesa e dytë me pasqyrë të njëjtë, me Struga Trim Lum që zotëronte topin dhe që bënte presion të vazhdueshëm drejt portës mysafire, e ku si rezultat në minutën e 59-të shënuam golin e avantazhit dhe njëherit të fitores.

Pas një harkimi nga rivënia e këndit në shtyllën e parë, Radeski tentoi me kokë, mirëpo gëzimin e tij e ndali mbrojtësi i Sileksit Shubert, që devijoi topin vetëm deri te këmbët e Lassana Diako, i cili nuk fali dhe nga afërsia shënoi për 1:0.

Edhe pas këtij goli, skuadra vazhdoi presionin, mirëpo këtë herë me një intenzitet më të ulët, ndërsa kjo bëri që Sileksi të përfitoj terren dhe të na rrezikoj më seriozisht me anë të rezervistit, Matej Gesarov, i cili goditi traverzën.

Struga Trim Lum fare në fund, në minutat shtesë mund të gjente edhe golin e dytë, mirëpo rezervisti Florian Roçi nuk shfrytëzoi aksionin e bukur të skuadrës nga krahu i djathtë, e në veçanti harkimin e bukur të Arbi Voshës, duke goditur shumë dobët me kokë.

Pas 6 xhirove të kaluara, Struga Trim Lum me 13 pikë të tubuara renditet në pozitën e dytë, me vetëm dy pikë më pak se skuadra kryesuese e Shkëndijës së Tetovës.

ÇFARË NA PRET…?

Tani do të përgatitemi për ndeshjen e rradhës kampionale kundër Tikveshit, që në program është me datë 11 shtator. Këtë ndeshje do ta zhvillojmë në transfertë, ndërsa do të jetë një ndeshje tjetër e rëndësishme e skuadrës, kjo bazuar edhe në formën momentale.

Tikveshi ka vetëm dy pikë më pak se Struga Trim Lum në renditje dhe aktualisht ndodhet në pozitën e tretë.

LPFMV, Java 6 | STRUGA TRIM LUM – SILEKSI 1:0

Autorë i golit: Lassana Diako 59’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Aleksandar Grujoski

Kartonë të verdhë: A. Vosha, B. Shkëmbi (trajner)

FORMACIONI:

V. Vasilev, A. Roçi, E. Kola, P. Fall, A. Vosha, B. Bojku, L. Diako (H. Agamah 80’), M. Hamza, B. Shabani, H. Maleski (F. Roçi 90+2’), M. Radeski (A. Zendeli 74’);  

Trajner: Bledi Shkëmbi;