Agon Demiri gati për të debutuar edhe në ndeshjet e Kupës…
Pas debutimit me 1 gusht në miqësoren kundër GFK Ohrid dhe debutimin kundër Bregallnicës javën që lamë pas në një ndeshje zyrtare kampionale, Agon Demiri, është gati për të debutuar edhe në një ndeshje të Kupës së Maqedonisë.
16-vjeçari e sheh veten gati për të dhënë kontributin e tij në ndeshjen e së mërkurës kundër Pobedës nga Valandova, e vlefshme për 1/16 e finales.
Për Struga Trim Lum do të jetë kjo ndeshja e parë e sezonit të ri në garën e dytë më prestigjioze në vend.
“Jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve. E dimë që na pret një ndeshje e rëndësishme dhe do të japim maksimumin në fushë për të arritur një rezultat pozitiv dhe për të kaluar në fazën tjetër.” – u shpreh fillimisht Agon Demiri, që gjithashtu foli edhe për debutimin e tij në ndeshje zyrtare me fanellën e Struga Trim Lum.
LEXO GJITHASHTU: 16-vjeçari Agon Demiri debuton edhe në ndeshje zyrtare me ekipin e parë
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për debutimin tim në ndeshje zyrtare. Është një ndjenjë e veçantë të luash për ekipin e vendlindjes. Shpresoj që të kem mundësi të luaj edhe në Kupë dhe, nëse më jepet rasti, do të mundohem ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme.” – deklaroi Demiri, duke vijuar të flas për debutimin e tij, që e kishte ëndërr që nga fëmijëria. Ai thotë se para tij është një karrierë e gjatë dhe se ka për të mësuar ende shumë.
“Për mua është një arritje shumë e madhe dhe një moment që do ta mbaj mend gjatë. Jam shumë mirënjohës për mundësinë që më është dhënë dhe për besimin e trajnerëve. Sigurisht që debutimi në këtë moshë është diçka që e kam ëndërruar, por besoj se kam ende shumë për të mësuar dhe për të arritur në futboll.” – tha Demiri, dëshira e të cilit është që të përmirësohet për çdo ditë, me qëllim që të arrijë majat e futbollit.
LEXO GJITHASHTU: Agon Demiri me vetëm 16 vjet e 6 ditë debutoi me ekipin e parë
“Ëndërra ime e radhës është të vazhdoj të luaj dhe të përmirësohem çdo ditë. Dua të fitoj sa më shumë përvojë, të kem një karrierë të suksesshme dhe gradualisht të arrij në nivele sa më të larta të futbollit.” – theksoi Demiri, që pas disa vitesh e sheh veten duke luajtur në nivelet më të larta.
“Pas disa vitesh e shoh veten duke luajtur në një nivel sa më të lartë. Qëllimi im është të punoj çdo ditë, të përmirësohem si futbollist dhe të arrij sa më larg. E di që rruga është e gjatë dhe kërkon shumë punë, por jam i gatshëm të punoj për ëndërrat e mia.” – përfundoi intervistën Agon Demiri, që në ndeshjen kundër Bregallnicës në lojë u inkuadrua në minutën e 75-të, kur zëvendësoi Lassana Diako.
Ishte njëherit kjo ndeshja e tij e parë me ekipin senior të Struga Trim Lum në një ndeshje zyrtare, ndërsa i njëjti gjithashtu luan edhe me ekipin U17 dhe U19 të skuadrës tonë.
Ndeshja ndërmjet Pobedës nga Valandova dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin e qytetit të Strugës me fillim në ora 16:30.


















