Struga Trim Lum ka mundur Vardarin në derbi ndeshjen e javës së tretë në elitën e futbollit vendor. Hero i fitores së sotme, doli të jetë Hristijan Maleski…
Një gol i shënuar saktësisht pas një ore lojë nga ana e Hristijan Maleskit, i mjaftoi Struga Trim Lum për të shënuar fitore minimale, por shumë të rëndësishme përballë Vardarit, në derbi ndeshjen e javës së tretë në elitën e futbollit vendor.
Kjo ndeshje zgjoi shumë interesim në mesin e struganëve, që i dhanë krahë skuadrës sot, që në fund së bashku të festojmë edhe fitoren e dytë nga po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicon në ndeshjet si vendas.
Pas fitores 3:0 ndaj Shkëndijës së Haraçinës, sot mundëm minimalisht 1:0 ekipin kampion në fuqi, Vardarin.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij takimi, që të dyja skuadrat u futën në lojë me shumë siguri, duke mos lejuar gabime, dhe duke zhvilluar lojën kryesisht në mesfushë. Një lojë e tillë nuk është se dhuroi edhe shumë raste në të dyja anët, derisa skuadra jonë tentoi fare në fund, kur edhe krijoi disa raste mjaft të mira, që në pushim të shkojmë me epërsi.

Në minutën e 37-të, Marjan Radeski shënoi në rrjetën e Taleskit, mirëpo ky gol me të drejtë u anulua për shkak pozitës jashtëloje.
Vetëm një minutë më vonë, Radeski sërish u shfaq i rrezikshëm, këtë herë pas një kundërsulmi të udhëhequr nga kapiteni Bunjamin Shabani, mirëpo goditja e numrit 14 u ndal nga portieri mysafir.
Edhe në minutën e 41-të, Radeski tentoi të shënoj, mirëpo këtë herë tentativa e tij me kokë pas harkimit të Arbi Voshës brenda zonës së rreptësisë, u devijua në rivënie nga këndi.
Vosha edhe në minutat e para shtesë të pjesës së parë harkoi brenda zonës së Vardarit, këtë herë në shtyllën e parë për Maleskin, që e devijoi topin në shtyllën e dytë për Qendrim Ismjalin, goditja e të cilit me kokë përfundoi vetëm mbi portë.
Ky njëherit ishte edhe rasti i fundit gjatë pjesës së parë, ndërsa në rastin e parë më konkret në pjesën e dytë, Struga Trim Lum gjeti edhe golin e epërsisë.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 60-të, kur kapiteni Shabani udhëhoqi një aksion të shpejtë, dhe mu në momentin e duhur pasoi brenda zonës për Hristijan Maleskin, i cili nuk fali dhe me një të djathtë të fuqishme shënoi për 1:0.
Maleski mund të shënonte sërish vetëm dy minuta më vonë, kur pranoi një tjetër pasim nga kapiteni Shabani, mirëpo këtë herë i njëjti u ndal nga portieri Taleski.
Pasoi një periudhë, kur më së shumti loja u përqëndrua në mesfushë, me Vardarin që tentonte të shënonte golin e barazimit, mirëpo pa sukses.
Tentativat e tyre përfundonin ose jashtë portës, ose gjenin kundërpërgjigje nga i shkëlqyeri Andrej Jovçevski, që edhe njëherë tjetër dëshmoi se bëhet fjalë për një portier cilësor dhe një ndër më të mirët në futbollin vendor.

I njëjti pas disa intervenimeve të shkëlqyeshme para Matiç dhe Omeragiç, në fund doli të jetë me fat, pasi David Babunski nuk realizoi nga pika e bardhë, duke goditur mbi portë.
Një gjë e tillë ndodhi në minutën e 96-të, ndërsa vlen të theksohet se dy minuta para fundit të kohës së rregullt, Maleski kishte edhe një mundësi identike, të tretën me rradhë nga pozita, nga ku edhe kishte shënuar golin e epërsisë në minutën e 60-të, e që në fund doli të jetë i mjaftueshëm për 3 pikët e plota nga kjo ndeshje derbi.
Ishte kjo fitorja e dytë nga po aq ndeshje në terren vendas në sezonin e ri, ku kemi regjistruar edhe një barazim 1:1 në transfertën ndaj Skopjes.
Ndeshjen e rradhës e zhvillojmë të shtunën kundër Shkëndijës së Tetovës në transfertë.

LPFMV, Java 3 | STRUGA TRIM LUM – VARDARI 1:0
Autorë i golit: H. Maleski 60’
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 1500
Arbitër kryesor: Done Ristovski
Kartonë të verdhë: P. Fall, B. Bojku, B. Shabani, A. Zendeli
FORMACIONI:
A.Jovçevski, A. Roçi (A. Zendeli 46’), E. Belica, P. Fall, L. Diako, B. Bojku, A. Vosha (M. Hamza 46’), Q. Ismajli (F. Roçi 86’), B. Shabani (A. Nuhija 80’), M. Radeski (H. Agamah 62’), H. Maleski;
Trajner: Bledi SHKËMBI;


















