NDESHJE KONTROLLUESE | Barazojmë ndaj Dinamo City

Ishte kjo ndeshja e dytë e zhvilluar ndaj të njëjtit kundërshtarë brenda pak ditëve në qytetin e Ohrit…

Struga Trim Lum ka barazuar 1:1 ndaj Dinamo City në ndeshjen e dytë të fazës përgatitore, të zhvilluar sërish në Ohër.

Për dallim nga ndeshja e parë, kur kishim pësuar disfatë 2:3, sot trajneri Bledi Shkëmbi vendosi të luaj me një formacion më ndryshe, duke ju dhënë shansin futbollistëve më me përvojë gjatë pjesës së parë.

Kësisoj, në portë u ndal Vasko Vasilev, ndërsa para tij treshja e mbrojtësve përbëhej nga Alban Roçi, Landrit Rama (përforcimi i fundit) si dhe Pape Fall.

Memetriza Hamza dhe Arbi Vosha vepronin në krah, derisa në qendër të mesfushës u paraqiten, Besmir Bojku, Bunjamin Shabani dhe Ardian Zendeli.

I vetëm në krye të sulmit, ishte Hristijan Maleski, që në pjesën e dytë u sforcua nga Marjan Radeski, ndërsa gjithashtu në lojë u inkuadruan edhe Amir Nuhija, Jusuf Kaba, Valentin Koçoski dhe Arion Ziba.

Ndeshja u zhvillua në kushte me shi, ndërsa kjo vështirësoi punën e aktorëve në fushën e blertë në disa momente, ndërsa koha e freskët bëri që të shohim shumë intensitet, vrapim dhe duele.

Ekipi dinamovit, që kishte nisur shumë më herët me stërvitje, u përpoq të ju krijonte probleme tanëve me një presion të lartë, por ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi e përballoi mirë këtë situatë në fillim, mirëpo jo edhe në çerekun e fundit, kur Dinamo avansoi përmes Farrukut. 

Në mungesë të një partneri në sulm të Hristijan Maleskit, trajneri Bledi Shkëmbi në pjesën e dytë vendosi që në lojë të inkuadroj edhe sulmuesin tjetër, Marjan Radeski, i cili me përvojën e tij bënte që në disa raste të krijoj hapësira për Maleskin, që 5 minuta para fundit të takimit, i ndihmuar edhe nga mbrojtja mysafire, arriti që të barazojë shifrat në 1:1, kur mjaft mirë në zonë kishte harkuar Memetriza Hamza.

Ky i fundit me depërtimet e tij të shpejta, gjithnjë ju krijonte probleme mbrojtësve të Dinamos nga krahu i djathtë, duke vënë në rrezik në disa momente portierin kundërshtarë.

Ishte ky barazimi i parë për skuadrën tonë në ndeshjen e dytë kontrolluese ndaj të njëjtit kundërshtarë, që rikthehet në Tiranë për të vijuar përgatitjet e fundit në prag të ndeshjes kundër Astanas në kuadër të Ligës së Konferencës.