KOMUNIKATË ZYRTARE | ARD KASAMI

Ard Kasami është futbollisti i rradhës me të cilin vazhdojmë bashkëpunimin edhe për dy vite të tjera…

Pas dyshes, Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku, rradha është që të njoftojmë bashkëpunimin për dy vite të tjera edhe me Ard Kasamin, një tjetër futbollistë prej më besnikëve të skuadrës.

Kasami pjesë e skuadrës tonë është që nga  vera e vitit 2018-të, ndërsa në bazë të kontratës së re, ai pjesë e Struga Trim Lum do të jetë deri verën e vitit 2028, duke rrumbullaksuar kështu një dekadë të plotë me fanellën “bardhekuq”.

Kasami edicionin që lamë pas u paraqit në vetëm 3 ndeshje, kjo për shkak të një dëmtimi, që e detyroi atë ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë tashmë i njëjti ka lënë pas dëmtimin dhe i gatshëm pret sezonin e ri, me shpresë se do të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave.

“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e kontratës dhe besimin e drejtuesve që kanë ndaj meje. Struga Trim Lum dhe njerëzit që e rrethojnë këtë klub janë si familja ime e dytë. Sinqerisht u jam shumë mirënjohës, kjo për faktin se në dy periudha shumë të rënda për mua, kur isha i detyruar që të ju nënshtrohem ndërhyrjeve kirurgjikale, ata më qëndruan pranë sikurse familja ime, ashtu që vërtetë jam i lumtur dhe me fat që jam pjesë e kësaj skuadre. Mua tashmë nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm të ju dëshmoj besnikërinë time dhe të jap maksimumin në ndeshjet e sezonit të ri, ku shpresojmë të kemi më shumë fat dhe të jemi pretendent sërish për titull. Struga si qytet, por edhe klubi me këta persona që i qëndrojnë pas, vërtetë e meritojnë një gjë të tillë” – tha Ard Kasami, që me fanellën e Struga Trim Lum numëron gjithsej 143 ndeshje, duke e renditur atë në pozitën e dytë, kur janë në pyetje futbollistët me më shumë ndeshje në historikun e skuadrës tonë.

Para tij, ndodhet vetëm kapiteni Bunjamin Shabani.

Vazhdimi i bashkëpunimit me Kasamin, është një konfirmim i kënaqësisë së ndërsjellë dhe dëshirës për të vazhduar rrugën e përbashkët drejt objektivave të vendosura.