LPFMV, Java 31 | SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM 3:1

Struga Trim Lum ka pësuar disfatë 3:1 në udhëtim te Shkëndija e Tetovës. Golin e vetëm për skuadrën tonë në këtë transfertë e realizoi Stefan Jevtoski…

Para më shumë se 2000 spektatorëve në stadiumin e qytetit në Tetovë, pati pak raste të qarta në fazën e hershme, megjithëse ishim neve që tentuam të parët në këtë ndeshje me anë të Bojan Ilievskit, i cili goditi nga jashtë 16-të metërshit, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e portierit vendas, Gaye.

Në minutën e 15-të, për shkak të një dëmtimi, Arbi Vosha nuk mund të vazhdonte ndeshjen, ndërsa vendin e tij e zuri Altin Aliji.

Në minutën e 16-të, aksion i tanëve nga krahu i majtë, me Shabanin që pason për Pape Fall, i cili në tentativë për të harkuar, shumë lehtë mund të ndodhte për të mposhtur portierin vendas, Gaye, i cili megjithatë ishte shumë i vëmendshëm.

Shkëndija na ndëshkoi në minutën e 25-të, kur arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë, duke vlerësuar si të mjaftueshëm kontaktin e mbrojtësit tonë Ilievski me Endrit Krasniqin. Ishte vetë Krasniqi që morri përgjegjësinë e ekzekutimit të penaltisë dhe nuk gaboi, duke shënuar për 1-0.

Megjithatë, skuadra reagoi shpejtë dhe në minutën e 31-të përmes Stefan Jevtoskit arritëm të barazojmë shifrat në 1-1. Këtij aksioni i parapriu një pasim i kapitenit Shabani për Pape Fall në krahun e majtë, i cili harkoi në shtyllën e dytë për Altin Alijin, goditja e të cilit u devijua nga mbrojtja vendase, mirëpo vetëm deri te këmbët e Jevtoskit, që nuk fali dhe solli barazpeshë të rezultatit.

Pasoi një lojë jo edhe aq efektive nga të dyja skuadrat, teksa në minutën e 40-të nga një ndërprerje, më saktësisht nga goditja e këndit, Shkëndija realizoi edhe golin e dytë, me autorë Drilon Islami.

Struga Trim Lum sërish tentoi të barazoj, mirëpo tentativa e Pape Fall në minutën e parë të kohës shtesë, përfundoi vetëm mbi portë, edhe pse qëllimi i senegalezit ishte për të harkuar brenda zonës.

Trajneri Shkëmbi edhe pjesën e dytë e nisi me të njëjtit futbollistë, teksa i pari që u kanos në këtë pjesë, ishte Ardian Zendeli, i cili lëshoi një goditje të fuqishme në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri Gaye. Në vazhdim të aksionit edhe Bojku tentoi nga jashtë 16-të metërshit, mirëpo goditja e tij ishte shumë jo precize.

Shkëndija në minutën e 69-të përmes rezervistit Atdhe Mazari gjeti edhe golin e tretë, që njëherit vendosi edhe fituesin e këtij takimi, në të cilin për herë të fundit u kanosëm në minutën e 83-të përmes Florian Roçit, që me të majtën e tij provoi nga një distancë e largët, mirëpo vetëm jashtë kuadrantit.

NDESHJA E RRADHËS

Një derbi tjetër na pret edhe javën e ardhshme. Java e 32-të do të na vë përballë liderit aktual, Vardarit, ndaj të cilëve në dy ndeshjet e këtij sezoni kemi barazuar (2:2, 1:1). Ndryshe ndeshja kundër Vadarit do të jetë e 16-ta në historikun tonë, derisa epilogu i deritanishëm është 5 fitore, 5 barazime dhe 5 disfata.  

SEZONIN E MBYLLIM NË POZITËN E TRETË

Pavarësisht disfatës, Struga Trim Lum edicionin 2025/26 do e mbyll në pozitën e 3-të, duke përsëritur kështu rezultatin e sezonit 2020/21, kur për herë të parë kishim siguruar një vend për në garat europiane.

Shpresojmë, që edhe këtë vit të jemi me fat dhe të sigurojmë daljen në Europë, që njëherit është edhe synimi ynë kryesor.

SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM 3:1

Autorë i golit: S. Jevtoski

Stadiumi i qytetit: Tetovë

Shikues: 2000

Arbitër kryesor: Done Ristovski (Gjevgjeli)

Kartonë të verdhë: A. Vosha, B. Bojku, A. Aliji, G. Mici

FORMACIONI:

M. Angeletti, B. Ilievski, G. Mici (A. Roçi 75’), L. Diako (J. Maudo 86’), P. Fall, A. Zendeli, A. Vosha (A. Aliji 15’), B. Bojku, S. Jevtoski (F. Roçi 86’), B. Shabani (T. Demishkoski 86’), H. Maleski;

Trajner: Bledi Shkëmbi;